Foto: Albin Kurti/ Facebook

Kurti: Protesta e 1 Tetorit ishte pikënisja e një kthese të rëndësishme historike për vend

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka përkujtuar 24-vjetorin e protestave të studentëve të Universitetit të Prishtinës më 1 tetor të 1997-s.

Ai në Facebook ka shkruar se protesta e 1 tetorit ishte pikënisja e një kthese të rëndësishme historike për vendin, që burim kishte vullnetin rinor për të bërë ndryshimin.

Ai ka shpërndarë edhe fotografi të asaj kohe, ku edhe vet ka qenë pjesëmarrës, si student i Universitetit të Prishtinës.

“24 vite pas protestës, rikujtojmë me mirënjohje të thellë zemërgjerësinë e njerëzve guximtarë, që iu përgjigjen dëshirës së madhe të studentëve për dije, duke ua mundësuar vijimin e mësimeve në shkollat-shtëpi.  I kujtojmë me nderim të gjithë profesorët e studentët e protestës së 1 Tetorit, që me guxim sfiduan okupatorin serb”, ka shkruar mes tjerash ai.

Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Albin Kurtit në Facebook:

Çdo 1 tetor kujtojmë marshimin në protestat paqësore të 1997-ës të mijëra studentëve të veshur në të bardha, që me vullnet për liri e dëshirë për dije kërkonin lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga okupatori serb.
Protesta e 1 Tetorit ishte pikënisja e një kthese të rëndësishme historike për vendin, që burim kishte vullnetin rinor për të bërë ndryshimin.
Fati i studentëve dhe i Universitetit të Prishtinës ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e vendit.
Në gjysmën e parë të shekullit të tij, ky universitet përgatiti brezat që me dije e guxim i shërbyen vendit për çlirim. Tani po kontribuon në zhvillimin e kapitalit njerëzor, si parakusht për zhvillim ekonomik e progres shoqëror.
Sivjet, studentët tanë kanë mundësi të barabarta për të realizuar potencialin e tyre intelektual. Në vitin e ri akademik 2021/2022, mundësuam studime pa pagesë për të gjithë studentët e nivelit baçelor dhe master.
Si drejtues të lëvizjes së atëhershme studentore, sot kujtuam dhe nderuam me homazhe atë që na priu në protestë, akademikun e rezistencës dhe juristin e qëndresës, profesorin Ejup Statovci.
24 vite pas protestës, rikujtojmë me mirënjohje të thellë zemërgjerësinë e njerëzve guximtarë, që iu përgjigjen dëshirës së madhe të studentëve për dije, duke ua mundësuar vijimin e mësimeve në shkollat-shtëpi.
I kujtojmë me nderim të gjithë profesorët e studentët e protestës së 1 Tetorit, që me guxim sfiduan okupatorin serb.