Kurti: Prokuroria e Shtetit është shndërruar në parti politike opozitare

Para qytetarëve të Gjilanit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, deklaroi se Prokuroria e Shtetit është shndërruar në parti politike opozitare.

Në tubimin e mbajtur më 03.02.2025, Kurti ka thënë se pas 9 shkurtit do të ketë reformë të thellë në sistemin gjyqësor.

“Pas fitores sonë më 9 shkurt, përveç Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të kemi edhe Vetting sepse na duhet ta drejtojmë drejtësinë, do të kemi edhe reformë të thellë ku përfshihet edhe Prokuroria e re Speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ju po e shihni që Prokuroria e Shtetit është shndërruar në parti politike opozitare, po edhe ata kanë me i humbë zgjedhjet më 9 shkurt. Sikur partitë e tjera opozitare edhe Prokuroria e Shtetit ka me i hupë zgjedhjet më 9 shkurt”- u shpreh Kurti.

Kryeministri akutal, Albin Kurti, tutje ka thënë se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit do të ketë gjyqësor të ri me kompetencë e profesionalizëm.

“Më 10 shkurt ata s’kanë pse dalin në punë se edhe ashtu s’janë duke bërë punë, le të rrinë në shtëpi. E ne do ta kemi gjyqësorin e ri me kompetencë, profesionalizëm, devotshmëri, urtësi, efikasitet e patriotizëm, e jo më këso prokurorësh që Millan Radoiçiqit ia heqin urdhërarrestin e e ndjekin Rozeta Hajdarin”- ka thënë tutje ai.

Kurti edhe gjatë tubimit të tij elektoral në Prizren më 17.01.2025 i ka kritikuar krerët e Prokurorisë dhe ka folur për zgjedhjen e Kryprokurorit të ri.

“Malli i huaj s’bahet i joti. Shtetin tënd s’bën me e vjedhë. Ktheni paret, fitoni shërbim e shpagim, ku është ‘Z-mobile’ sot? Zyrtarisht ‘Z-mobile’ veç një të punësuar e ka, sepse nuk iu duhen më, meqë e kanë kry plaçkitjen. E krerët e Prokurorisë qartazi kanë vdekë për së gjalli. Na duhet doemos, na nevojitet një Kryeprokuror i ri, profesionist, patriot, i ndershëm” – ka thënë Kurti.

Më 29.12.2024, Kurti në një intervistë në KTV e ka akuzuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, se është “regjisor” i ftesës që i është dërguar atij për të dëshmuar në Prokurori në rastin e rezervave shtetërore.

Kurti, ka shpalosur programin e tij qeverisës për mandatin 2025-2029 , duke përfshirë reformat në drejtësi.

Sipas Kurtit, Zyra për hetime disiplinore do të jetë një strukturë e re që garanton balanc dhe kontroll të efektshëm nëpërmjet pushteteve duke rritur llogaridhënien e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial për veprimet e tyre.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.