Kurti: Projektligji për Këshillin Prokurorial do të rris llogaridhënien dhe transparencën

Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka mirëpritur miratimin në parim të projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Kurtit, ky projektligj është jetik për shtetin e së drejtës, duke theksuar se më në fund do të arrihet balanci ndërmjet anëtarëve të përzgjedhur prokurorë dhe atyre joprokurorë.

“Në këtë mënyrë, ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të KPK-së nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokurorëve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit për kategori të tilla”, ka shkruar Kurti në facebook.

Sipas kryeministrit Kurti, projektligji i votuar sot do të ‘ngritë pashmangshëm llogaridhënien dhe transparencën në sistemin prokurorial, veti këto të domosdoshme e aq të munguara brenda sistemit të drejtësisë’.

Kurti po ashtu ka folur edhe për përbërjen e KPK-së, duke theksuar se do të kontribuoj në fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Përbërja e ardhshme e Këshillit Prokurorial ka përgjegjësi të madhe e unike – të tregojë se nga reforma e filluar mund të kontribuojë dukshëm në fuqizimin e sundimit të ligjit, të dëshmojë partneritet e bashkëpunim ndërinstitucional në çështjet e rëndësishme për vendin, duke mos tentuar të arsyetojë mosveprimin me pavarësi të sistemit gjyqësor por të dëshmojë pavarësinë në ushtrimin e detyrave të përcaktuara me ligj”, ka theksuar ai.

Me 63 vota për dhe 16 kundër, Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Komisioni i Venecias jep rekomandime shtesë për Ligjin për Këshillin Prokurorial