Foto: ZKM

Kurti: Projektligji i ri i pagave, punëtorët e arsimit i trajton më mirë se kurdoherë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se projektligji i ri për pagat i cili sipas tij do të hapet për diskutim publik javën e ardhshme, mësimdhënësit i trajton shumë më mirë sesa janë trajtuar deri më tani.

Sipas Kurtit nuk na çojnë askund, greva, bojkoti e mospuna.

“Ligji i pagave ndodhet në diskutim paraprak dhe pas një jave do të jetë edhe në diskutim publik, koeficienti për mësimdhënësit është ma i mirë sesa kurdoherë në të kaluarën, ne kemi parasysh për mësimdhënësit tanë edhe përgjegjësitë menaxherial dhe do t`i vlerësojmë sipas përfomancës së tyre por gjithashtu sipas përgatitjes profesionale”- tha ai.

Sipas kreut të ekzekutivit, qeveria e tij është e hapur për dialog social me grevistët mirëpo nuk mund të miratoj kërkesa irracionale.

“Në po i bëjmë reformat në arsim, e kemi rritë buxhetin, ama kërkesat sindikale dhe grevat si instrument nuk duhet të dalin përtej racionales, sepse nëse dikush thotë duhet të ma rrisësh pagën prej 100 euro, pyetja është pse jo 300 euro. Planifikimet financiare shtetërore nuk bëhen në mënyrë të papërgjegjshme”- theksoi ai gjatë përurimit të abetares në Gjakovë.

“Buxheti i Kosovës është 3 miliardë euro, nuk mund të marrim buxhete të tjera që t`i plotësojmë kërkesat irracionale është e pamundur, ka dialog social, ministrja 3 herë e ka takuar kryetarin e sindikatës së arsimit, janë një duzinë takimesh që zëvendësit e saj i kanë bërë më sindikatën e arsimit, unë e kam takuar 2 herë kryetarin e BSKP-së, mirëpo kërkesat racionale janë për dialog, kërkesat absurde të cilat janë dëshira irracionale nuk mund të hasin në mirëkuptimin tonë”- shtoi ai.

Sot ka filluar viti i ri shkollor në Kosovë, mirëpo në shumë shkolla mësimi nuk është duke vazhduar për shkak të grevës së mësimdhënësve dhe shërbyesve civil e cila ka filluar që nga 25 gushti.

Dje ministri i Financave tha që është bërë ekzekutim i pjesshëm i pagave për grevistët.

Kërkesa e sindikalistëve, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Kurti: Njerëzit nuk mund të paguhen për punën që nuk e bëjnë