Kurti priti në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it

Në takimin lamtumirës me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajari, në përmbyllje të mandatit të tij në Kosovë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka falënderuar për angazhimin dhe përkushtimin e tij në shërbim të paqes dhe stabilitetit në vend.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për media, në emër të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e tij për ta mbajtur Kosovën të sigurt.

“Përvoja dhe lidershipi juaj i madh luajti një rol shumë të rëndësishëm në trajtimin e situatës dhe ruajtjen e kohezionit në KFOR, pavarësisht sfidave” – citohet të ketë thënë Kurti.

Gjeneral major Kajari e ka falënderuar kryeministrin për diskutimin e hapur dhe gatishmërinë e dëshmuar për bashkëpunim.

“U theksua se misioni në Kosovë i Gjeneral Majorit Kajari filloi në të njëjtën kohë kur filloi të ndryshojë në mënyrë dramatike mjedisi i sigurisë globale për shkak të rritjes së politikës ekspansioniste ruse, që kulmoi me agresionin ushtarak në Ukrainë në fillim të këtij viti” – thuhet në tutje në komunikatë.

Gjeneral major Kajari ka marrë komandën e KFOR-it në tetor të vitit 2021.

Gjeneral major Ferenc Kajari është oficeri i parë hungarez që ka marrë komandën e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Oficeri hungarez merr komandën e KFOR-it në Kosovë