Foto: ZKM

Kurti priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Franco Federici

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Franco Federici.

Sipas një komunikate për media të Zyrës së Kryeministreit, komandanti i KFOR-it, Federici e uroi kryeministrin Kurti për detyrën dhe përgjegjësinë e re.

“Ai konfirmoi gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, në shërbim të sigurisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kurse, Kurti e falënderoi atë për urimin dhe shprehu mirënjohje për punën, rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, dhe tha se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është qëllim i përbashkët, për çka bashkëpunimi ndërinstitucional mes Qeverisë së Republikës Kosovës dhe KFOR-it është i domosdoshëm.

“Ai e njoftoi për masat e reja kundër Covid-19 që Qeveria ka ndërmarrë, e që nga sot kanë hyrë në fuqi, si dhe për angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve përkatëse në sigurimin e dozave të reja të vaksinës kundër Covid-19”, theksohet në komunikatën e ZKM-së.