Foto: Albin Kurti në takim me deputetët e Parlamentit Gjerman

Kurti priti në takim deputetë të Parlamentit gjerman

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim deputetët e Parlamentit gjerman, Christian Petry, nga Partia Socialdemokrate (SPD) dhe Boris Mijatoviq, nga Partia e Gjelbër.

Në komunikatën për media thuhet se deputeti Petry ka thënë se është i gëzuar që Kosova është rreshtuar me shtetet që shkojnë drejt BE-së.

“Kryeministri Kurti e falënderoi z.Petry për mbështetjen e tij të vazhdueshme që nga viti 2019, kur u njoftuan gjatë një lojë futbolli në Berlin, e cila u zhvillua mes shoqatës Dardania Bamberg dhe klubit të futbollit të Bundestagut”, thuhet në njoftim.

Deputeti Mijatoviq ka theksuar rëndësinë e faktit në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë gjermane është i theksuar integriteti territorial i Bosnjës dhe sipas tij kjo vlen për tërë rajonin.

Deputetët janë interesuar për situatën aktuale dhe marrëdhëniet bilaterale me shtetet fqinje.

Po ashtu në takim është diskutuar edhe për situatën me COVID-19 dhe masat e reja.

“Në fund të takimit, deputetët gjerman theksuan që te politikbërja gjermane do të ketë vëmendje të shtuar për Kosovën dhe rajonin, si dhe premtuan mbështetjen e tyre për objektivat e përbashkëta”, thuhet më tutje në njoftim.