Albin Kurti në takim me Gabriel Escobar/ Foto: ZKM

Kurti pritet të takohet edhe me Escobarin në Bruksel

Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel kryeministri i Kosovës Albin Kurti sipas burimeve të KALLXO.com do ta takojë edhe të dërguarin e Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sot po ashtu Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në Bruksel do t`i pres në takime të ndara Kurtin dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në kohën kur zyrtarët nga këto dy shtete kanë ashpërsuar retorikën, pas ngritjes së barrikadave në veri tri javë më parë.

Stoltenberg do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas secilit takim, është paralajmëruar se do të ketë konferencë për media.

Ndërsa nesër pas më shumë se 1 vit pa takime, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen nesër në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas njoftimit të BE-së, takimi Kurti-Vuçiq, do të përqendrohet se si të avancohet dialogu drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Po ashtu, mëtohet që të trajtohen çështjet aktuale që kanë për synim zbutjen e tensioneve mes dy shtete. Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit të kaluar.

Palët kanë qëndrime të kundërta sa i përket edhe përfundimit të procesit dialogut të nisur më 2011. Përderisa Kosova kërkon që procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshijë njohjen reciproke, Serbia synon një zgjidhje kompromisi.