Foto: Kryeministri Albin Kurti në Facebook.

Kurti pritet nga Scholz: Një dekadë vullnet, punë e angazhim për ta afruar rajonin tonë drejt BE-së

Në nisje të Samitit të Berlinit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga Kancelari gjerman, Olaf Scholz, në Berlin të Gjermanisë.

“10-vjetori i Procesit të Berlinit vendtakim e ka pikërisht kryeqendrën e Gjermanisë. Një dekadë vullnet, punë e angazhim për ta afruar rajonin tonë më shumë drejt BE-së”- ka shkruar Kurti në Facebook në një fotografi që ka publikuar me kancelarin gjerman.

Kurti ka shtuar se Berlini është vendi dhe tash është momenti për më shumë progres, e për ta bërë këtë samit jubilar të suksesshëm.

Ky samit shënon 10-vjetorin e Procesit të Berlinit.

Në këtë samit, si çdo vit tjetër pritet të nënshkruhen marrëveshje që kanë ndikim në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në fillim ishin shpërfaqur dyshime se mos Kosova nuk do të marr pjesë ose të përjashtohet për shkak të bllokimit të mallrave nga Serbia.

Kështu kishte paralajmëruar emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin që nga fundi i gushtit. 

Sarrazin vazhdimisht kishte bërë presion ndaj Kosovës që të zhbllokohen mallrat nga Serbia si formë e bashkëpunimit rajonal ashtu siç kërkon Procesi i Berlinit.

Sidoqoftë, skenari ndryshoi pasiqë Kosova zhbllokoi mallrat serbe në pikën kufitare në Merdare. 

Kjo hapi rrugën që të merret vendimi që Kosova mos të përfaqësohet më nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (CEFTA), por nga zyrtarët e saj shtetërorë.

CEFTA është e lidhur ngushtë me Procesin e Berlinit ngase ideja e kësaj të fundit është që të rritet bashkëpunimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lehtësimin e integrimit të tyre në Bashkimin Europian.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel.

Para kësaj nisme, presidenti i atëhershëm i Këshillit Europian, Jean-Claude Juncker kishte shpallur ‘pauzë; në zgjerimin e BE-së.

Më pas përmes Procesit të Berlinit ishte qëllimi që Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina duke rritur bashkëpunimin mes vete të ia bëjnë vetes vendin në institucionet e BE-së.

Me kalimin e viteve Procesi i Berlinit u zgjerua dhe mbahen samite të përvjetshme. Përjashtim bëri viti 2021 që për shkak të pandemisë Samiti u mbajt në një formë të adaptuar në mënyrë virtuale, por pa takime midis liderëve të shteteve.

Procesi i Berlinit tanimë ka dhjetë vende partnere: Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Poloninë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.