Kurti – prindërve: Ulni fëmijët çdo ditë para televizorit, rrymë do të ketë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën kur ka filluar mësimi online ka një kërkesë për prindërit.

Ai u ka bërë thirrje atyre që çdo ditë t’i ulin fëmijët para televizorit në ora 11:15 dhe t’i ndjekin mësimet.

“Virusi Corona na ka mbyllur të gjithëve nëpër shtëpitë tona, dhe, ato duhet t’i bëjmë shkolla për fëmijët tanë. Nëpërmjet teknologjisë synojmë që mësimi të jetë më tërheqës për nxënësit. Mësimdhënia duhet ta hapë imagjinatën e nxënësve që ata të mësojnë më mirë e të dinë më shumë. Prindërve u kërkojmë që t’i ulin fëmijët e tyre para televizorit çdo ditë nga ora 11:15”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti po ashtu u zotua se do të ketë energji elektrike në të gjithë territorin e Kosovës.

“Por, ky është edhe një rast që të gjithë ne si shoqëri të marrim pjesë në arsim e edukim si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës. Teksa 96% e amvisërive në Kosovë janë të lidhura në internet, si Qeveri do të kujdesemi edhe që të ketë energji elektrike në të gjithë territorin e Kosovës”, tha ai.

Tutje kryeministri ka thënë se e-mësimi është bërë që të mos privohet nxënësit nga shkolla.

Sot ka filluar mësimi nga distanca për nxënësit e Kosovës. Kjo formë e mësimit erdhi për shkak të mbylljes së shkollave për mos përhapje të Covid-19.

Mësimi do të  zhvillohet vetëm në lëndët Gjuhë Shqipe dhe Matematikë dhe materialet janë të gatshme për nivelin 1-5, kurse ditëve në vijim pritet të përgatiten për nivelet e tjera.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca që ka filluar sot.

Mësimi po transmetohet në mediumin publik, RTK, në kanalin RTK1 dhe RTK4 si dhe në uebfaqen emesimi.rks-gov.net.

Fillon mësimi online – VIDEO

www.kallxo.com

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!