Kurti pret në takim presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Zyra për Komunikim Publik njofton se aty u diskutua në lidhje me bashkëpunimin dhe marrëdhëniet në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim morën pjesë edhe drejtoresha e Komitetit, Izabela Kisiq dhe Mark Baskin nga Qendra për Dialog Humanitar.

“Kryeministri Kurti theksoi se paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë me shtetet e rajonit dhe më tej, është parim i politikës sonë të jashtme, dhe se Bashkimi Evropian është vlerë dhe destinim për rajonin”, thuhet në njoftim.

Kurti ka veçuar rëndësinë e demokratizimit të rajonit, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe ka përmendur edhe ballafaqimin me të kaluarën që sipas tij janë parakushte për marrëdhënie dhe bashkëpunim të mirë më rajonin.

“U bisedua për projektet aktuale të Komitetit, që qysh nga themelimi në vitin 1994 është përpjekur të ekspozojë ideologjinë mbizotëruese të Serbisë – nacionalizmin – dhe të zbusë efektet fatale në fushën e të drejtave të njeriut, ekonominë e vendit, sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet rajonale”, thuhet ndër të tjera.