Kurti pret në takim përfaqësuesit politikë të Luginës, flasin për zgjedhjet në Serbi

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc janë pritur sot në takim nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri Liburn Aliu, në Prishtinë.

Sipas komunikatës së Qeverisë, në takim u diskutua për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare që u mbajtën më 3 prill.

Kurti tha se këto zgjedhje nuk ishin të lira e as demokratike.

“Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna. Ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha. Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme”, citohet të ketë thënë kryeministri kosovar.

Sipas Kurtit, mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore.

Kurti tutje tha se nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani.

“Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm, u shpreh kryeministri Kurti, teksa në fund theksoi se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim morën pjesë, Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, Zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe njëherit Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri, Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu, Kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, Arben Ferati.

Ndërkaq, pavarësisht ftesës, thuhet se në takim nuk ishin Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe Kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.

Shqiprim Arifi në ditën e zgjedhjeve në Serbi tha se po shohin një neglizhencë të qeverive kosovare, sepse sipas tij, i kanë lënë në “mëshirën dhe mundësitë” e tyre.

Kryetarja e Preshevës kërkon shtyrjen e seancës së thirrur për shkarkimin e saj