Kurti pret në takim kryetarin e Athinës, Greqia përsërit mbështetjen për liberalizim të vizave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, priti në takim kryetarin e Athinës, Kostas Bakoyannis.

Sipas komunikatës së Kryeministrisë, Kurti e vlerësoi nivelin aktual të marrëdhënieve me Greqinë, veçanërisht me Athinën dhe shprehu interesin që të zgjerohet edhe më tej ky bashkëpunim.

Ndërkaq, kryetari Bakoyannis përsëriti mbështetjen e Greqisë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kryetari Bakoyannis shprehu bindjen se zbatimi i reformave të nevojshme në Kosovë, në përputhje me rekomandimet e BE-së, do të fuqizojë perspektivën evropiane të Kosovës. Ai përsëriti mbështetjen e Greqisë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. U bisedua për gjendjen në ballafaqim me pandeminë COVID-19, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe popujt”, thuhet në njoftim.