Foto: ZKM.

Kurti pret në takim drejtuesit e Komunës së Leposaviqit, u ofron mbështetje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar më 09.09.2024 kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nënkryetaren Marina Bogojeviq dhe drejtues të drejtorive të kësaj komune.

Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit, shërbimet e reja, përfshirë ato që ofrohen nga agjencitë qendrore, sikurse Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, dhe praktikat e mira të vendosura me udhëheqjen aktuale.

Po sipas njoftimit të Kryeministrisë, në takim është diskutuar edhe rreth sfidave të trashëguara dhe nevojën për investime kapitale për qasje në ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe infrastrukturë, veçanërisht në fshatra dhe zona të thella të komunës.

“Kryetari Hetemi, nënkryetarja Bogojeviq dhe drejtorët veçuan rëndësinë e dëgjimeve buxhetore që kanë mbajtur deri më tani me qytetarë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak dhe shqiptar, me qëllim adresimin e kërkesave të tyre dhe planifikimit të projekteve dhe përgatitjet e kërkesave për mbështetjet nga niveli qendror”-thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Në njoftim thuhet se kryeministri Kurti u ka ofruar drejtuesve të Leposaviqit mbështetjen e qeverisë dhe gatishmërinë në adresimin sa më të shpejtë të kërkesave të kësaj komune që burojnë nga nevojat e qytetarëve për vitin e ardhshëm buxhetor.

Në takim morën pjesë edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.