Kurti pret në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e BE-së në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takim sot me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, Kurti ka njoftuar ambasadorët në lidhje me punën dhe vendimet e ekzekutivit, ndërkaq temë diskutimi ka qenë edhe situata me COVID-19.

“Kryeministri po ashtu foli për përkushtimin e Qeverisë për reformat në vend dhe integrimin Evropian dhe euro-atlantik të vendit, dhe rëndësinë që bashkëpunimi me shtetet e QUINT-it ka në arritjen e këtyre synimeve. Ai falënderoi ata për mbështetjen e vazhdueshme që si shtete partnere dhe mike i kanë ofruar shtetit dhe popullit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për vazhdimin e shfrytëzimit të ndërtesës në të cilën është i vendosur ky institucion.

Në takim morën pjesë i ngarkuari me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, ambasadori i Gjermanisë, Joern Rohde, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, zëvendësambasadori i Francës në Kosovë, Francois Cypien, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, dhe Përfaqësuesi i Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.