Kurti pret Erion Veliajn në takim, flasin për ekonomi e kulturë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka prit në një takim kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn.

Takimi u mbajt në kryeministri ndërsa, siç njoftoi zyra për medie, ata diskutuan mbi ekonominë e aktivitet kulturore që pritet të mbahen në dy kryeqytetet shqiptare.

Kurti dhe Velijaj u takun për herë të parë prej kur kreu i Vetëvendosjes mori detyrën e shefit të qeverisë.

Një takim mes tyre ishte paraparë në vizitën e parë të Kurtit në Tiranë, gjatë Qeverisë Kurti I, por nuk kishte ndodhur.

“Diskutuan për pandeminë dhe ecurinë e procesit të vaksinimit në të dy shtetet. Kryebashkiaku Veliaj u interesua për efektin e pandemisë në ekonomi, duke e vlerësuar rolin dhe vullnetin e diasporës së Kosovës për t’i kontribuar zhvillimit ekonomik”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i vendit, citohet të ketë thënë se, ekonomia e Kosovës do të shënoi rritje prej gati 8%.

“Kryeministri Kurti tha se ekonomia ka filluar të shënojë ngritje dhe sipas projeksioneve rritja ekonomike do të arrijë në 7.9 për qind të bruto produktit vendor. Tha se është shënuar progres edhe në eksporte dhe mbledhje të tatimeve”, thuhet në fund.

Në fund, u dhanë edhe detaje edhe mbi diskutimet që Kurti e Velijaj patën mbi aktivitetet kulturore.

“U bisedua edhe për ngjarjet kulturore që do të mbahen në kryeqytetet e të dy shteteve vitin e ardhshëm. Prishtina do të jetë nikoqire e biennales “Manifesta”, ndërsa kryeqyteti shqiptar i aktiviteteve të “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”. Kryebashkiaku Veliaj tha se këto dy ngjarje janë mundësi e mirë për promovimin e artit dhe kulturës shqiptare”, thuhej në fund të njoftimit.

Takimet me zyrtarëve shtetërorë nga Kosova dhe Shqipëria nuk janë të shpeshta kohëve të fundit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk janë pajtuar së fundmi mbi një iniciativë të quajtur “Ballkani i hapur”.

Ndërkohë, kritikat mes vete nuk i kanë ndalur në disa raste mbi këtë çështje.