Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti pret bashkatdhetarët në aeroport: Përpiqemi ta lajmë një pjesë të borxhit që e kemi ndaj tyre

Në Aeroportin e Prishtinës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur bashkatdhetarët që kanë ardhur për të kaluar pushimet në Kosovë.

Kurti u ka uruar mirëseardhje dhe iu ka dhuruar nga një numër të operatorit telefonik “Vala”.

Ai ka thënë se kjo është një formë për të larë borxhin e madh ndaj diasporës.

“Besoj që bashkatdhetarët tonë kanë shumë miq e dashamirë, familje këtu dhe do të mund ti kenë shërbimet e Valës në dispozicion. Andaj edhe oferta jonë me Valën është një mënyrë se si ne përpiqemi ta lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që e kemi ndaj tyre”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se Qeveria  ka marrë vendim që i inkurajon bashkatdhetarët të angazhohen për 6 muaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kuadër të programit të “Diplomacisë Qytetare”.

“Nga lehtësimet shtesë me e-Kosovën për nxjerrjen online të certifikatave të gjendjes civile, të ekstraktit të lindjes, të certifikatës së martesës etj. përfitojnë të gjithë. Ndërkaq, për ata që vijnë me automjete në Kosovë, polica kufitare pasi të paguhet online riimbursohet plotësisht”, ka shkruar Kurti në Facebook.