Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti: Pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë dhe dënojnë sjelljen e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të marrë masa ndaj palës serbe pas deklarimit të presidentit serb, Aleksadar Vuçiq se Serbia nuk do ta njoh Kosovën dhe do të vendos vija të kuqe për zbatimin e planit të BE-së të dakorduar në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në një deklaratë para mediave, kreu i ekzekutivit kosovar tha që dakordimi i Ohrit për Kosovën është marrëveshje.

“Edhe marrëveshjen bazë edhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara, për neve kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillojmë takime thotë; unë nuk nënshkruaj, e ndërmjet takimeve thotë nuk zbatoj gjë” – tha Kurti.

“Nuk mund të flas kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare përfshirë edhe kombet e bashkuara, nuk mund të flas sesi kurë nuk do të njoh Kosovën, me qenë se marrëveshja bazë është njohje defacto, kjo është thelbësore për procesin, është e rëndësishme që partnerët, aleatët të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës, kur ne jemi të përkushtuar, kreativ e konstruktiv” – tha Kurti.

“Me ndërmjetësit evropianë do të jemi në kontakt, me partnerët amerikanë jemi në komunikim dhe do të duhej që formulimin vetmenaxhimin e komuniteti serb, të adresojmë çështjet që kanë ngelur pa u përmbushur dhe për neve bëhet fjalë për një formulim i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë të pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës” – tha Kurti.

I pyetur nëse do të sjellët për ratifikim në Kuvend dakordimi i Ohrit, kryeministri Kurti theksoi se duhet të diskutohet sepse nuk ka marrëveshje të nënshkruar.

“Edhe në Kuvend duhet të diskutohet, mirëpo duhet ta keni parasysh që ne kot nënshkruajmë, që ne marrëveshje me vete s’mund të bëjë, marrëveshja duhet të bëhet me palën tjetër”- tha ai.

“Dhe nëse e keni parasysh në krye të tekstit bazë thuhet palët kontaktuese, unë nuk mund të bëjë nënshkrim me vetveten, ne mund të bëjmë edhe ratifikime në Kuvendin e Republikës por, unë besoj që tash nuk do të duhej topi të jetë tek Kosova, topi është në anën e Serbisë përse s’po nënshkruan ajo”- shtoi ai.

“Të gjitha pyetjet duhet të jenë në Beograd tash” – tha në fund kryeministri Kurti.

Më 18 mars nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për zbatimin e planit të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi i njohur si plani franko-gjerman.

Ky plan nuk është nënshkruar si marrëveshje nga palët, për çka kryeministri Albin Kurti ka thënë se pala serbe nuk ka qenë e gatshme.

Një ditë më vonë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk e ka nënshkruar aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare.

Vuçiq: Serbia nuk mund të nënshkruajë marrëveshje juridike ndërkombëtare me Kosovën