Kurti premton rritje të buxhetit për strehimoret për viktimat e dhunës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar shtim të buxhetit për strehimoret për viktimat e dhunës në Kosovë.

Në lansimin e projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”, Kurti foli për hapat që i ka marrë ekzekutivi për përmirësimin e legjislacionit.

“Takime e diskutime të tilla në vete paraqesin përpjekje të cilat hapin rrugë për emancipim dhe solidaritet. Ne si qeveri kemi marrë përsipër obligimet që parasheh Konventa e Stambollit po angazhohem për zbatimin në përpikëri që dalin nga ajo”- tha Kurti.

Sipas Kurtit, obligimet nga Konventa e Stambollit janë edhe thirrje për bashkëpunim më të thelluar me qasje ndërsektoriale për parandalim të dhunës.

“Si përgjigje ndaj dhunës, institucionet tona e kanë përmirësuar dukshëm kornizën ligjorë, e kemi mirautar strategjinë nacionale për parandalimin e  dhunës në familje, kemi mundësuar ndihmë juridike falas për viktimat, kemi vazhduar mbështetjen për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, kemi lehtësuar kompensimin e viktimave të krimit, kemi miratuar kurrikulat për tajrimin e dhunuesve, ndërkaq këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret për viktimat e dhunës”- shtoi ai.

Frank Power, shef i zyrës nga Këshilli i Evropës në Prishtinë ka thënë se KE do të vazhdojë në përkrahjen e Ministrisë së Drejtësisë për adresimin e dhunës së familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore.

“Do të vazhdojmë përkrahjen e punës së MD në programin e saj për kryerësit e veprave, do të punojmë për akademinë e drejtësisë, ky raport do të botohet në raportin grevio, do të punojmë më Gjykatën Kushtetuese që Konventa e Stambollit të aplikohet me ligjin e Kosovës. Konventa e Stambollit na mandaton neve që të kemi një qasje për çdo punë që bëhet”- tha ai.

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë ka thënë se dhuna ndaj grave vazhdon ende të jetë problem në Kosovë.

“Dhunës ndaj grave i paraprinë pabarazia ndaj tyre që në fëmijërinë e hershme. Forma të tjera të dhunës shumë prezente në shoqërinë tonë janë edhe dhuna psiqike, martesat e detyruara. Dhuna ndaj grave është manifestim i marrëdhënieve historikisht të pabarabarta qe kanë quar në diskriminimin e grave nga burrat”- tha ajo.

Sipas saj zinxhiri i drejtësisë duhet të funksionojë në mënyrë që viktimat të marrin trajtimin e tyre.

“Është qenësore që ofrimi i shërbimeve që bëhet nga profesionist, qasja ndaj viktimës të jetë në qendër, dhuna po raportohet por jo ende në masën që do të duhej dhe jo në masën që është, prandaj kemi shumë aktiviteti e fushata për sensibilizim. Sot i bëjë thirrje që institucionet e policisë dhe drejtësisë të mos i neglizhohen rastet e dhunës, por t’i hetojnë ti adresojnë, sepse rastet pastaj po përfundojnë me fatalitet”- tha ajo.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan më 2020 me shumicë votash, një amandament në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në bazë të të cilit Konventa e Stambollit do të përfshihet në Kushtetutë.

Kjo konventë njihet në botë si instrument ligjor për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe të dhunës familjare, si dhe për mbrojtjen e viktimave.

Ndjekja penale e dhunuesve cilësohet si bazament i konventës.

Konventa e Stambollit përfshihet në Kushtetutën e Kosovës