
Foto: Lëvizja Vetëvendosje / Facebook
Kurti premton nga një miliard euro për prodhimtarinë dhe Ushtrinë e Kosovës
Në ditën e parafundit të fushatës zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim elektoral në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit, më 07.02.2025.
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka premtuar një miliard euro mbështetje për prodhimtarinë dhe ndërmarrësinë për investime në kapacitete prodhuese përmes garantimit të kredive për investitorët.
Kurti i ka premtuar edhe një miliard euro për Ushtrinë e Kosovës gjatë mandatit të tij.
“Në muajt e parë të Qeverisë së re, gjithashtu do ta heqim edhe taksën doganore prej 10% për veturat nga Bashkimi Europian” – ka thënë Kurti.
Kreu i LVV-së tha se Kosovën do ta bëjnë me valutë digjitale dhe në kryeqytet do ta ndërtojnë një kullë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për të cilën tha se do të jetë simbol i zhvillimit inovativ të Kosovës.
“Do ta rrisim numrin e çerdheve, po njëkohësisht edhe 100 euro shtesë mbi pensionin bazë për të gjithë gjyshërit dhe gjyshet që kujdesen për fëmijët nga mosha një deri në moshën trevjeçare, për fëmijët të cilët i kanë të dy prindërit në punë” – ka premtuar Kurti.
Kurse, për pagën minimale, Kurti premtoi se do ta rrisin në 500 euro.
“Kjo do të thotë se 500 eurot e para nuk do të tatohen, por gjithashtu nuk do të tatohen 6,000 eurot e para të ndërmarrjeve të vogla familjare, që sigurisht është lehtësim për ta” – shtoi Kurti.
Kurti tha se do ta rrisin edhe numrin e inspektorëve të punës deri në 200.
Në programin e tij politik sa u përket studentëve, Kurti tha se do t’i mbështesin studentët në nevojë çdo muaj varësisht nga distanca ku studiojnë nga vendi ku jetojnë.
“Do të kemi edhe bursa për studentët që madje vijojnë studimet në shkollimin universitar jopublik” – tha Kurti.
Sa i përket energjisë elektrike, Kurti ka thënë se do ta modernizojnë termocentralin “Kosova B” dhe do ta rehabilitojnë termocentralin “Kosova A”. Kurse, në Ferizaj e Gjilan do të ndërtojnë ngrohtore.
“Do të fillojmë me ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës me segmentin Gjakovë – Shkodër, e që lidh Prishtinën me portin e ri të Durrësit, por gjithashtu edhe projektimin e lidhjes hekurudhore ndërmjet Prizrenit e Ferizajt që na bashkon me Gjilanin e Bujanovcin” – ka deklaruar Kurti.
Tutje, në infrastrukturën rrugore, Kurti tha se do ta përfundojmë rrugën Prizren – Tetovë, të cilën e kanë nisur, pastaj autostradën Prishtinë – Gjilan deri te Dheu i Bardhë dhe po ashtu rrugën Dollc-Gjakovë-Kijevë-Zahaq, si dhe rrugën Duhël-Shtime-Banullë.
Në sport, Kurti premtoi ndërtimin e Stadiumit Nacional, Qendrës akuatike me pishinat olimpike dhe gjysmë-olimpike.
Kurti ka premtuar edhe ndërtimin e pesë digave në Kosovë, të cilat tha se janë diga e Firajes, Pollatës, Kuqizës, Dragaqinës dhe ajo e Desivojsës, dhe sipas tij, ata po përgatiten edhe për katër diga të tjera.
Ndërsa, kandidati i dytë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për deputet të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i entuziazmuar nga numri i qytetarëve në tubimin elektoral, i tha Albin Kurtit se qenkan kryer zgjedhjet.
“O Albin o vëlla, po kokan kry zgjedhjet. Deri te hymja e Prishtinës plot koka… Na jena mbledhë për me thanë – mirupafshim në zgjedhjet e 2029-ës se këto të 2025-ës kokan kry” – ka thënë Konjufca më 07.02.2025.
Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.
Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.