Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti premton hapjen e 160 çerdheve dhe ushqim falas nga klasa e parë deri të pestën

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar disa prej planeve që prekin fëmijët në vend.

Ai ka thënë se do të ndërtohen 160 çerdhe të reja dhe se do të u ofrohet ushqim falas fëmijëve nga klasa e parë deri në klasën e pestë.

Kurti, përmes një postimi në Twitter ka shpalosur edhe planet për pushimin prindëror dhe shtesat që do t’i marrin.

Ky është postimi i plotë:

“Neni 50 i kushtetutës sonë i garanton mbrojtjen, kujdesin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë. Prindërit do të kenë pushim 12-mujor të amësisë/atësisë, ndërsa nënat e papuna do të përfitojnë 250 euro në 6 muajt e parë të amësisë së tyre. Asnjë fëmijë nuk duhet të jetë i uritur apo të lihet pas dore”. Nëse një familje fiton më pak se 7 mijë euro për vit, do të përfitojnë 50 euro për një fëmijë, familjet që fitojnë më pak se 6 mijë euro në vit do të përfitojnë 100 euro për fëmijë, familjet që fitojnë më pak se 5 mijë euro në vit do të përfitojnë 150 euro për fëmijë. Të gjitha familjet do të marrin 20 euro për fëmijët nën 2 vjeç dhe 10 euro për fëmijët nga 2 deri në 6 vjet. 160 çerdhe do të hapen për të mundësuar përkujdesje dhe edukim të hershme për fëmijët tanë. Ushqim falas do të ofrohet për të gjithë fëmijë nga klasa e parë deri në të pestën”, ka shkruar ai.