Foto: KALLXO.com

Kurti pranoi Raportin e Progresit, lëvdon punën e Qeverisë në gjashtë muajt e parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pranuar raportin e Komisionit Evropian për Kosovën nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog.

Në konferencë për media pas takimit Kurti lëvdoi punën e ekzekutivit në gjashtë muaj qeverisje.

“Ky është raporti i parë për ne në Qeveri dhe i cili matë periudhën një vjeçare nga tetori 2020 deri në tetor 2021. Duke qenë se është raport vjetor, ai mat progresin e marrë së bashku në dy gjashtëmujorët para Qeverisë dhe gjatë Qeverisë sonë e të cilët dallojnë si dita me natën. Në këta gjashtë muaj të qeverisë kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve që përbënë progres të madh shoqëror e që do ta kishin zili shumë vende anëtare të BE-së”, tha ai duke shtuar se po luftohet krimi dhe korrupsioni.

Kurse  për raportin dhe rrugën për integrim në BE foli edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog.

“Procesi i zgjerimit të BE bazohet në kritere dhe kërkon zbatimin e refomave komplekse. Kërkon rezultate në luftimin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit. Nuk ka rrugë të shkurtra në procesin e BE, reformat duhet te zbatohen në mënyrë efektive. Në raport thuhet se ka sfida në sundim të ligjit kurse ka përparime në reformen e administratës publike. Raporti bën rekomandime për lirinë e shprehjes”, tha ai, duke shtuar se BE do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën.

Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin e Progresit për Kosovën.

Në këtë raport përmenden mes tjerash sfidat e Kosovës për sundim të ligjit.

Sa i përket dialogut me Serbinë, në Raportin e Progresit thuhet se Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.