Albin Kurti

Kurti: Po të mos e kishim Ligjin për masat e përkohshme për produktet esenciale në Kushtetuese nuk do t'i kishim këto çmime të larta

Çmimet e larta të produkteve themelore ka qenë një nga temat për të cilat ka folur sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se në rast se Ligji për çmimet tavan, apo masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, nuk do të ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese atëherë nuk do të kishte as çmime të larta.

“Po ta kishim ligjin për tavanin e çmimeve që nuk çohet në Gjykatën Kushtetuese siç ndodhi, sot nuk do t’i kishim këto çmime të larta” – ka thënë Kurti në një intervistë në Klan Kosova duke shtuar se ndjen keqardhje që ky Ligj gjendet në Kushtetuese.

Ai tha se dërgimi i ligjeve në Kushtetuese është diçka që aktualisht po e brengos atë si kryeministër.

“Nëse ka diçka që aktualisht si kryeministër jam më i brengosuri në qeverisjen që kemi janë këto tri ligjet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese që po zvarriten” – ka thënë shefi i ekzekutivit.

Ai tha se nëse ka ankesa për çmime të larta, duhet të dihet se është një ligj, ai për çmimet tavan, që po pritet që të trajtohet në Gjykatë.

“Ky ligj do ta vendoste tavanin, nëse nuk na intereson tavani, nëse ka mbetur tek çmimi tavan ta mbrojmë kushtetutën e Republikës, ata që dihet se çfarë i kanë bërë kësaj më herët, atëherë le të vazhdojmë kësisoj” – ka thënë ai.

Më 16 nëntor 2022, Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte çuar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për masat e përkohshme për produktet esenciale. i cili cakton çmimin tavan për produktet themelore në rastet e destabilizimit të tregut.

Kjo ishte bërë nga Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, të cilët kishin pretenduar se ky Projektligj ka shkelje kushtetuese.

Pasi dorëzuan atë, para Gjykatës Kushtetuese, Selmanaj tha se vlerësimi i LDK-së është që në tërësinë e vet ky Projektligj është antikushtetues.

Projekligji në fjalë, më 8 nëntor 2022 kishte kaluar edhe në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës duke e marrë votën e 65 deputetëve.

Qëllimi i këtij ligji është që të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligj dhe mënyrën e zbatimit të tyre.