Kurti: Po punojmë për ndryshime në statutin e VV-së

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se kjo parti është duke punuar në disa ndryshime të statutit të saj.

Albin Kurti tha se në mbledhjen e radhës të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së do të shpalosen më shumë detaje.

“Në Lëvizjen Vetëvendosje kemi një grup punues për reformën organizative, i cili ka përgatitur një mori ndryshimesh statutore për mbledhjen e ardhshme të këshillit të përgjithshëm. Unë s’i kam parë ende ato propozime por besoj që Vlora Haxhimemeti, sekretarja, mund të japë përgjigje të hollësishme”, ka thënë Kurti.

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, kjo parti ka dalë e para dhe Kurti është kandidati potencial për kryeministër.

Por, sipas nenit 73.3 të statutit të VV-së, nëse kryetari zgjidhet kryeministër, jep dorëheqje nga pozicioni i kryetarit të Lëvizjes.

Para zgjedhjeve, Kurti kishte thënë se do të japë dorëheqje nga kryetari i partisë nëse i fiton zgjedhjet.

Në zgjedhjet e 6 tetorit sipas rezultateve përfundimtare Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 220.811 vota apo 26.159% dhe pas saj Lidhja Demokratike e Kosovës me 205,458 vota apo 24.458%. Këto dy parti janë në bisedime për formimin e një koalicioni qeverisës.