Kurti: Po ndërtojmë fuqi të re punëtore për zhvillim ekonomik

Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve sot lansoi Platformën për Punësim të të rinjve.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin kryeministri Albin Kurti, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Kurti u shpreh se punësimi dhe drejtësia janë zotim i qeverisë.

Ai përmendi skemat e  qeverisë për punësim të grave dhe vajzave, derisa me këtë platformë, sipas kryeministrit, po ndërtojnë fuqi të re punëtore për zhvillim ekonomik.

“Punësimi dhe drejtësia është zotimi ynë, vitin e kaluar kemi zbatuar skema që kanë pasur synim punësimin e grupeve të ndryshme shoqërore. Përmes masës 1.3 u punësuan mbi 3 mijë gra e vajza. Nga sot po e pilotojmë punësimin për të rinjtë. Lansimi platformës është konkretizim i premtimit të Qeverisë për mbështetjen e të rinjve. Po ndërtojmë një fuqi të re punëtore për zhvillim Ekonomik”- u shpreh Kurti.

Ai theksoi se rinia është aset i së tashmes dhe të ardhmes së Kosovës.

“Rininë e kemi aset të së tashmes dhe të ardhmes. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në veçanti edhe ambasadën zvicerane”- shtoi më tej Kurti.

Derisa, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se përmes kësaj platforme synojnë deri në 10 mijë vende pune.

“Premtimi ynë ishte për secilin të ri të kishte punën e garantuar nga Qeveria dhe ky premtim po zbatohet. Sipas pilotimit paga minimale do të jetë 264 euro, por që ende nuk ka kaluar në Kuvend. Synimi ynë do të jetë që përmes platformës që të kemi deri në 10 mijë vende pune”- ka thënë Murati.

Ai shtoi se, i punësuari për 6 muaj do marr pagë nga shteti dhe më pas mund të gjejë punë nga përvoja e marr.

“I punësuari për 6 muaj do të marrë pagë nga shteti dhe pas gjashtë muajve mund të gjej punë nga përvoja e bërë. Kemi bërë një platformë automatike që automatizon proceset në mbështetjen e gjetjes të një vendi të punës”- shtoi më tej ministri i Financave.