Kurti: Po hyjmë në javën kritike të virusit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmes një postimi në facebook ka shkruar për regjisrimin e  dy viktimave të tjera në Kosovë nga koronavirusi.

´Në ora 3:00, virusi Corona i shkaktoi vdekjen S.N., burrë, nga Prishtina, kurse, në ora 7:10, N.R., grua, nga Prizreni, gjithashtu, ndërroi jetë.Mëngjesi i sotëm na doli më i hidhuri që nga 13 marsi dhe 22 marsi, ditët kur u shënua rasti i parë i infektimit dhe rasti i parë fatal si pasojë e COVID-19. Tani i kemi tre të vdekur gjithsej. Pra, nuk ka mbaruar asgjë. Në fakt, jemi në mes të betejës. Më shumë se kurrë na nevojitet vendosmëria e secilit qytetar´´, ka shkruar Kurti.

Kurti tutje ka bërë apel tek qytetarët që të qëndrojnë të pastër, të qëndrojnë në distancë dhe të qëndrojnë në shtëpi.

´Vetëm kaq na duhet që të fitojmë. Më lehtë e më thjesht nuk ka qenë asnjëherë. Me pak disiplinë do t’ia dalim. I kemi 23 të shëruar e 145 raste të konfirmuara. E, nga profesionistët mësojmë se është pritur që numri i të prekurve me virusin të jetë shumë më i madh. Mirëpo, kjo nuk duhet të na relaksojë. Përkundrazi. Po hyjmë në javët kritike të virusit, dhe, ta bëjmë këtë për veten tonë, për më të dashurit tanë e, mbi të gjitha, për heronjtë në vijën e parë të frontit. Duhet ta vonojmë në kohë dhe ulim në përmasë sa më shumë ngritjen e lakores së shpërndarjes së COVID-19´´, ka shkruar Kurti në postimin e tij në facebook.

KALLXO.com mëngjesin e sotëm raportoj për dy pacientët e vdekur të cilët po trajtoheshin në QKUK për shkak të koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se mëngjesin e sotëm kanë vdekur dy pacientë nga coronavirusi të cilët ishin duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

MSh, ka njoftuar se të dy pacientët e vdekur sot nga coronvirusi kishin probleme me sëmundjen e diabetit.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:

Komunikatë nga Ministria e Shëndetësisë

Sot me datë 06.04.2020 në Klinikën Prishtinë, 6 prill 2020

Sot me datë 06.04.2020 në Klinikën Infektive të QKUK-së dy pacientë me COVID 19 kanë përfunduar me vdekje.

Në ora 03:00 ka përfunduar me vdekje pacienti i gjinise mashkull S. N, 1961, Prishtinë, i cili është pranuar në Mjekimin Intenziv të Klinikës Infektive me datën 04. 04. 2020 transfer nga Qendra Emergjente e QKUK-së dhe ka qenë me sëmundje shoqëruese (Diabetes Mellitus tip 2. Sy hepatorenale). Pacienti është pranuar në Klinikën Infektive në gjendje të rendë pa vetëdije.

Në ora 07:10 ka përfunduar me vdekje pacientja e gjinisë femer, N. R, 1950, Korishë, Prizren, e cila është pranuar po ashtu në Mjekimin Intenziv të Klinikës Infektive me datën 02. 04.2020 dhe ka pasur sëmundje shoqëruese (Diabetes Mellitus, Nephropathia diabetica, Hypertensio arterialis dhe Cardimyopathia chronica).

Kosovë – Vdesin dy persona nga coronavirusi