Kurti: Po e anuloj pjesëmarrjen në Prespë, do të takohem me udhëheqësit e OVL UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar nga salla e Kuvendit të Kosovës se do të anulojë pjesëmarrjen në forumin e Prespës dhe së bashku me ministrin e financave, Hekuran Muratin dhe kryesuesin e Komisionit për Buxhet, Armend Muja, do t’i takojnë me udhëheqësit e OVL-UÇK-së.

“Ajo çka po propozoj është që të anuloj pjesëmarrjen time në forumin e Prepës nesër dhe unë po i pres në takim bashkë me ministrin e financave dhe me kryetarin e komisionit për buxhet dhe udhëheqësit e OVL UÇK-së dhe po i dëgjoj e t’i diskutojmë të gjitha”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se është gabim që të ndërpritet seanca e Kuvendit sepse ka shumë pika.

“Është gabim që të ndërpritet seanca e Kuvendit sepse kemi shumë pika dhe unë nuk po shkoj nesër në Prespë dhe po i takoj së bashku me Hekuran Muratin dhe Armend Mujën përfaqësuesit e veteranëve”, tha Kurti.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Protestuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë thyer kordonin e Policisë së Kosovës dhe kanë depërtuar brenda oborrit të Kuvendit të Kosovës.

Faton Klinaku ju ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të mos lëndojnë Policinë.

Në oborrin e Kuvendit janë duke qëndruar pjesëtarë të Policisë dhe Njësisë Speciale.

Protesta e sotme është paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.