Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Po bëhen remonte të njësive, po angazhohemi që ta kalojmë sa më lehtë këtë dimër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas paralajmërimeve për krizë energjetike, ka thënë se po bëhen remonte të njësive që në muajt e dimrit të ketë sa më shumë prodhim vendor të energjisë.

Ai ka thënë se po përpiqen që me gjithë çfarë din dhe munden të kalohet sa me lehtë dimri 2022-2023.

Kurti ka thënë se po bëhen remonte të Kosovës A dhe të Kosovës B.

“Sa i përket kapaciteteve ekzistuese ne po bëjmë remonte të njësive, edhe të Kosovës A dhe të Kosovës B në mënyrë që në muajt e dimrit kur kosto e energjisë është më e lartë në tregun ndërkombëtar dhe në anën tjetër kur nevojat dhe kërkesa është po ashtu më e madhe të kemi sa më shumë prodhim vendor”, ka thënë ai.

Kurti sot para nisjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se këtë dimër dhe në një periudhë në vijim nuk do të mund ta eliminohet përdorimi i qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike në vend.

“Ne kemi shumë qymyr, ne do të dëshironim që sa më parë të vijë një ditë kur nuk do të mund të kemi nevojë që të ndotet ambienti, mirëpo në këtë dimër dhe në një periudhë në vijim që nuk mund ta parashikojmë tani, nuk do të mund ta eliminojmë përdorimin e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike në vendin tone”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti nuk e ka përjashtuar mundësinë e subvencionit të Qeverisë në rast të krizës energjetike.

“Ne gjithmonë jemi në ballë të betejave që i kanë qytetarët e Republikës, përfshirë këtu edhe subvencionimin që bëjmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithmonë ka ndarë mjete për subvencionim në mënyrë që kostoja të mos reflektohet, apo sa më pak të reflektohet te qytetari, pra është fjala për koston e shtuar në kushtet e krizës energjetike”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten në seancën e Kuvendi ka thënë se Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një masë që përmes subvencioneve të ndihmohen konsumatorët që të ulin shpenzimet e energjisë elektrike.

Kurti ka thënë se me ketë ndërhyrje në efiçiencë synohet që konsumatorët të ulin shpenzimet e të kursejnë xhepin e tyre.

“Ministria është duke e përgatitur edhe një masë për efiçiencë të energjisë për konsumatorët shtëpiakë. Përmes subvencioneve, do të ndihmohen konsumatorët që të ulin shpenzimet e energjisë elektrike. Ndihma më e madhe do të koncentrohet te rastet e skemës sociale dhe te rastet që janë në nevojë, por s’janë të përfshirë në skemën sociale”, ka thënë Kurti.

Nga rritja e çmimeve në Kosovë, janë prekur edhe drutë të cilat përdoren si lëndë djegëse për ngrohje.

Një metër dru në tregjet e Prishtinës po shitet deri në 80 euro.

Po ashtu edhe peleti, lënda djegëse e cila përdoret për ngrohje është shtrenjtuar. Çmimi për një ton pelet aktualisht arrin deri në 400 euro, ndërsa një vit më parë e njëjta sasi e peletit ka kushtuar rreth 250 euro.

Rritja e çmimit të kësaj lënde djegëse po konsiderohet e pa përballueshme për xhepin e disa prej qytetarëve që ngrohen me pelet.