Foto: ZKM

Kurti: Përpjekja e Serbisë për destabilizimin e Kosovës do të jetë e pasuksesshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Prizren ku është inauguruar Rrjeti për Hulumtim e Edukim ka folur për situatën në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se përpjekja e Serbisë për destabilizimin e Kosovës do të jetë e pasuksesshme.

“Nuk e dimë ne tash se çfarë ndikimesh mund të ketë përprjekja e Serbisë për destabilizimin e Kosovës, mirëpo unë e di që një përpjekje e tillë do të jetë e pasuksesshme sepse shteti ynë është i fortë duke qenë demokratik dhe duke qenë i rreshtuar drejtë me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në dhe NATO-n” – ka thënë Kurti para mediave.

“Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër. Por, unë besoj që të dëgjueshëm ndaj tyre janë pakrahasimisht janë më shumë struktura të ndryshme ilegale se sa qytetarët e vendit tonë që janë me përkatësi etnike serbe” – ka vijuar ai.

Shefi i ekzekutivit ka thënë para gazetarëve se është në kontakt të vazhueshëm më organet e sigurisë ndërkombëtare dhe partnerët.

“Ne jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm, takime të rregullta edhe me organet e sigurisë ndërkombëtare sic është KFOR-i, EULEX, por gjithashtu edhe me partnerët tanë siç është Quint-i. Pra, ne shkëmbejmë informacione dhe përgatitemi mirë për çfarëdo mbrapshtie që mund ta bëjnë keqbërësit”- është shprehur ai teksa u ka bërë thirrje qytetarëve serb të Kosovës që të mos i braktisin institucionet e Kosovës.

“I ftoj të gjithë qytetarët serbë të vendit tonë që të mos t’i braktisin institucionet, që të mos japing dorëheqje, që të mos t’i lëshojnë vendet e punës, sepse në këtë mënyrë vetëm dobësohet shërbimi ndaj qytetarëve. Ata nuk kanë presion prej neve. Ata kanë thirrje dashamirëse prej neve. Presionin e kanë prej Beogradit i cili dëshiron destablizimin e Kosovës. Mirëpo nuk do të mund ta bëjnë këtë”.

Tutje, shefi i qeverisë ka thënë se situata e sigurisë në Republikën e Kosovës rrezikohet nga individë e grupe të ndryshme të kriminalizuara.

“Situata e sigurisë në Republikën e Kosovës rrezikohet nga individë e grupe të ndryshme të kriminalizuara dhe në këto 1 vit e gati 8 muaj sa jemi në qeverisje kemi bërë avancimin më të madh në luftimin e krimit dhe të korrupsionit. Republika e kosovës është shtet demokratik dhe serioz, ligjshmëria dhe kushtetueshmëria nuk mund të komprementohen , ato shkojnë bashkë me paqen dhe sigurinë dhe nuk do të ketë e nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup më të fuqishëm se sa shteti ynë” – është shprehur Kurti, derisa ka shtuar se “kriminelët nuk i dallon në bazë të etnisë që i takojnë por në bazë të veprave penale”.

“Ne nuk i dallojmë kriminelët në bazë të përkatësisë etnike, por vetëm mbi bazën e veprave të tyre penale dhe sjelljeve të paligjshme që i bëjnë” – ka përmbyllur ai.

Ndërkaq, në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur sot në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.

Sipas tij, Prishtina në mënyrë konstante shkel të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet e Brukselit.

Ai ka thënë se populli serb në Kosovë është sistematikisht duke vuajtur terror të pandalshëm dhe dhunues nga institucionet e Prishtinës dhe në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme.

“Të kuptohemi, se ne serbët e Kosovës dhe Metohisë nuk i kërcënohemi askujt, por mundohemi që ta ruajmë paqen stabilitetin dhe të drejtën”-ka thënë ai.

Pas një fjalimi të gjatë, Rakiq njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij e ministrit në qeverinë Kurti.

Pas tij, fjalën e ka marrë përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nikolla Kabashiq.

“Në emër të gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe degës së Gjykatës së Apelit në Mitrovicë dhe në emër të punëtorëve administrativë të gjykatës, ne sot japim dorëheqje si gjyqtarë, prokurorë dhe punëtorë administrativë”-ka thënë Kabashiq.

Të pranishmëve u është drejtuar edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq.

Ai ka njoftuar se  kryetarët e katër komunave të veriut, të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit japin dorëheqje nga mandati i kryetarit, kryetarëve të asambleve komunale dhe asamblistëve.

Zyrtarë të Policisë së Republikës së Kosovës nga komuniteti serb i kanë zhveshur uniformat.

Edhe gjatë ditës së sotme është raportuar për raste të dorëheqjeve nga ana e zyrtarëve të Policisë së Republikës së Kosovës nga komuniteti serb.

Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

Dorëheqja e tyre është bërë gjate ditës së sotme pak orë para se të nis tubimi i paralajmëruar i Listës Serbe me qytetarët në veri të vendit.

Dorëheqja e kryetarëve të komunave është hapi i radhës qe ndërmorën zyrtarët serb të cilët kishin poste në institucionet e Kosovës.

E gjitha kjo pasi Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar para tri ditëve suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Nenad Gjuriq u suspendua me 3 nëntor nga detyra e tij nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë me rekomandim të IPK-së,

“Më datë 3 nëntor 2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.