Kurti përkujton viktimat e Holokaustit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e Holokaustit në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të kësaj ngjarje.

Kurti përmes një postimi në Facebook tha se këtë ditë e kuptojnë shqiptarët, pasi sipas tij e dijnë si është të jesh i padëshiruar.

“Sot përkujtojmë me dhimbje tmerrin e hebrenjve gjatë holokaustit, me dëshirën që kurrë të mos përjetohen ngjarje të tilla tragjike, as nga hebrenjtë e as nga ndonjë popull tjetër. Ne shqiptarët e dimë, fatkeqësisht, si është të jesh i padëshiruar, etni e dorës së dytë, që mund të përndiqet, dhunohet, shkatërrohet, zhduket, me urdhër nga pushtete e shtete të cilat vrasin një popull në emër të një populli”, ka shkruar Kurti.

Sipas Kurtit, për shkak të ngjashmërive në përvoja të dhimbshme historike bënë që para “8 dekadash shqiptarët të ruanin aq sa mundeshin hebrenjtë që jetonin me ta, e të tjerët që përpiqeshin t’i iknin tërbimit nazist”.

“Mbrojtja e viktimave nuk u bë për lavdi, as për falënderim, por thjesht pse ashtu duhet. Ashtu është njerëzorja. Të zbatosh urdhrat e pushtetit kundër asaj çka të thotë ndërgjegjja njerëzore, do të thotë ta shndërrosh veten në makinë – e pasojat e kësaj ishin fatale, në kohën e nazi-fashizmit, por edhe më vonë me gjenocidet afër nesh e te ne, njëherë në Srebrenicë, e pastaj në Reçak, Krushë, Mejë..”, ka shkruar Kurti.

Kurti e ka cilësuar Holokaustin si ngjarje të pakrahasueshme për “nga tmerri e dhimbja dhe kulm i poshtëm i aktivitetit njerëzor, duhet kujtuar përjetë, në Izrael e në gjithë botën”,

“Në shenjë respekti për mbi 6 milionë viktimat, e në shenjë zotimi që secili nga ne, në hapësirën tonë të vogël e të përditshme, të dënojmë çdo jehonë të mentalitetit politik përjashtues të tjetrit, e sidomos ekstremin e vet që shkatërron e shfaros”, ka shkruar në fund Kurti.

Edhe në Kosovë, sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, ku përkujtohen miliona viktima të gjenocidit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë sot në shënimin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit në Prizren.

Edhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj bashkë me kabinetin qeveritar, bëjnë homazhe te obelisku i Hebrenjve, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, ku përkujtohen miliona viktima të gjenocidit të Gjermanisë naziste, që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rreth gjashtë milionë hebrenj u vranë në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e tyre.

Asambleja e Përgjithshme OKB-së caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, datë e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau në vitin 1945.