Kurti përkujton Nënën Pashke që dogji veten pasi i varrosi djemtë që iu vranë në Mejë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nderoi kujtimin e Nënës Pashke Krasniqi Markaj.

Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se, ai së bashku me studiuesen Nora Visoka Weller dhe shkrimtarin Ag Apolloni, kanë bërë homazhe te varri dhe vendi i vetëflijimit të Nënës Pashke dhe vizitoi familjen Markaj në Gjakovë.

Sipas njoftimit, bashkë me familjarët e saj, Kurti ka përkujtuar Nënën Pashke, e cila ditën e 27 majit 2003, i vuri flakën vetës pasi ia kthyen trupat e djemve, Gjovalinit dhe Milanit, të vrarë dhe zhdukur me forcë nga Serbia.

“Në këtë 20-vjetor, Kryeministri Kurti tha se qëndresa dhe sakrifica e Nënës Pashke mbesin të paharruara. Ai theksoi se krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të harrohen e as falen”- thuhet në komunikatë për media.

Gjovalin dhe Milan Markaj ishin mes 374 të vrarëve më 27 prill 1999, në masakrën e kryer nga forcat e Serbisë në fshatrat Mejë dhe Korenicë të Gjakovës dhe ishin të zhdukur deri në vitin 2003. Ata u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë.

Më 24 maj 2003 u bë rivarrimi i Gjovalinit dhe Milanit. Tri ditë më pas, pasi e kreu të pamën, nëna Pashke i vuri vetes flaken, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe dhimbjes për të bijtë.