Kryeministri Kurti në akademinë përkujtimore për masakrën në Studime/ Foto: ZKM

Kurti përkujton 116 të vrarët në Masakrën e Studimes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 116 civilë shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë e gra, të cilët 23 vjet më parë u vranë nga forcat serbe të sigurisë, në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Masakra ka ndodhur prej orës 20 deri në 21 të mbrëmjes të 2 majit.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka thënë se njëri prej prej dëshmitarëve të masakrës ka treguar që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë mundur.

“Njëri prej dëshmitarëve të masakrës ka treguar që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë UÇK-së nuk kanë mundur. Ai tregon sesi ai bashkë me fshatarët i kanë varrosur për tre ditë rresht”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka thënë se tentimi për largim dhe fshehje të trupave e bënë edhe më të rëndë këtë masakër duke shtuar se ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikën për këtë masakër.

“Përtej tmerrit të vrasjeve, tentimi për largim të trupave dhe fshehjes së këtij krimi makabër, e bën këtë masakër edhe më të rëndë. E ajo që rëndon edhe më tepër, është se sot, 23 vjet pas luftës, ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikënd për këtë masakër. Asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale. Vetëm heshtje”, ka thënë Kurti.

“Në anën tjetër, vazhdoi ai, luftëtarë të UÇK-së mbrojtëse, janë arrestuar, burgosur e dënuar dikur nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i e tash po mbahen në burg nga Gjykata Speciale”, ka shtuar ai.

Kryeministri ka theksuar praninë e kreut të PDK-së, Memli Krasniqi dhe disa deputetëve e asamblistëve duke u zotuar se do të angazhohen që të bëjnë më të mirën për të ardhmen e vendit.

“Në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë, është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, janë edhe deputetët e asamblistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë, tha në përmbyllje të fjalës kryeministri Kurti”, ka thënë Kurti sipas njoftimit të ZKM-së.