Kurti përkujtoi masakrën në lagjen ‘Dardania’ në Pejë: Serbia të ballafaqohet me të kaluarën kriminale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot lagjen ‘Dardania’ në Pejë për të marrë pjesë në përkujtimin e 40 viktimave të masakruar në luftën e fundit në vend.

Nga Peja, Kurti tha se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale.

“Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjate dhe për siguri për të gjithë, e për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale” – tha Kryeministri Kurti.

“Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, ndërkaq Prokuroria e Kosovës, Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë, në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen, të nxjerrën para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat, kur dihet që viktima nuk janë vetëm të vrarët e të rrëmbyerit, por edhe familjet e tyre, farefisi i tyre dhe mbarë shoqëria jonë” – tha kryeministri Albin Kurti.

Bashkë me Kryeministrin, homazhe bënë edhe Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari Lila dhe Fatmire Kollçaku.