Kurti përgëzon gjashtë medalistët që ishin pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare 'Oran 2022'

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim medalistët e Kosovës, Distria Krasniqin, Loriana Kukën dhe Laura Fazliun, medaliste të arta, Flaka Loxhën, Akil Gjakovën, dhe Shpejtim Bajokun, medalistë të bronztë, që ishin pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare, në Oran të Algjerisë.

Sipas njoftimit të Qeverisë, të pranishëm në takim ishin edhe Ismet Krasniqi, president i Komitetit Olimpik të Kosovës, Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi, trajnerë të xhudistëve, Enver Krasniqi, kryetar i Federatës së Boksit të Kosovës dhe Besim Brahimi, trajner i reprezentacionit të boksit.

Kurti ka përgëzuar sportistët dhe trajnerët e tyre për sukseset e arritura në Lojërat Mesdhetare.

“Kryeministri i përgëzoi sportistët dhe trajnerët e tyre për sukseset e arritura në Lojërat Mesdhetare.  Ai u shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për angazhimin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm për fitore, duke e rikonfirmuar vazhdimisht potencialin e rinisë sonë të talentuar”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës në pjesëmarrjen e dytë në Lojërat Mesdhetare, gjatë korrikut 2022, Kosova u përfaqësua me 39 sportistë nga 13 sporte të ndryshme: xhudo, boks, karate, mundje, shenjëtari, shigjetari, tenis, gjimnastikë, not, atletikë, taekwondo, badminton dhe pingpong.

Ndërkaq prej gjithsej 8 xhudistëve pjesëmarrës nga Kosova në këtë garë, medalje fituan 5 xhudistë.

“Prej gjithsej 8 xhudistëve pjesëmarrës nga Kosova në këtë garë, medalje fituan 5 xhudistë. Me këtë rezultat Kosova u bë shteti i dytë më i suksesshëm pas Spanjës, në sportin e xhudos në Lojërat Mesdhetare Oran 2022”, bëhet e ditur në komunikatë.

Medalja e bronztë e fituar nga Shpejtim Bajoku është medalja e parë e fituar pas 31 vitesh në Lojërat Mesdhetare, kur këtë sukses e kishte arritur boksieri Ilir Mustafa në vitin 1991 në Athinë, duke fituar medalje të argjendtë, derisa ishte reprezentues i ish-Jugosllavisë.

Ndryshe nga Lojërat e kaluara Mesdhetare në Tarragona të Spanjës kur Kosova fitoi katër medalje, kësaj radhe ka të fituara 2 medalje më shumë, me gjithsej 6 sosh (3 të arta dhe 3 të bronzta).

Herën e kaluar të gjitha medaljet ishin fituar nga sporti i xhudos, ndërsa kësaj radhe, Kosova ka edhe një medalje nga sporti i boksit.