Kurti: Përdhunimet seksuale kanë ndodhur meqë ne ishim shqiptarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, bëri nderime tek memoriali ‘Heroinat’ duke kujtuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës.

“Sot nderojmë të gjitha ato të cilat u përdhunuan dhe me kurajon e tyre treguan të vërtetën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, tha kryeministri Kurti. Në veçanti sot dëshirojmë që të falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë për zonjën Vasfije Krasniqi Goodman e cila ju dha kurajo shumë grave që të ndjekin shembullin e saj dhe të dëshmojnë për krimin e Serbisë. Por qysh në vitin 2013 kemi pasur shembullin e Marte Tunajt, e cila fatkeqësisht ka ndërruar jetë në maj të vitit 2016 dhe e cila e pat thyer heshtjen duke rrëfyer rastin e saj”, tha Kurti.

Kurti ritheksoi se shteti i Kosovës dhe Qeveria është gjithmonë pranë viktimave të mbijetuara gjatë luftës në Kosovë nga dhunimi seksual.

“Me gjithë kapacitetin tonë, me aftësitë dijet tona, po përpiqemi që t’iu dalim në ndihmë. Në njërën anë t’i inkurajojmë rrëfimet për gjenocidin e Serbisë, sepse e vërteta na ndihmon të gjithëve edhe si individ edhe si shoqëri, por gjithashtu në anën tjetër kjo edhe faktorëve ndërkombëtarë ua bën me dije se nuk duhet të harrojmë një luftë e cila ka ndodhur në jetën tonë, në brezin tonë, pikërisht tash kur po përsëriten shumë prej këtyre imazheve makabër në Ukrainë për shkak të invazionit rus dhe agresionit ushtarak atje”, tha Kurti më tej.

“Sepse përdhunimet, sikurse edhe torturat, sikurse edhe vrasjet, sikurse edhe të gjitha llojet e vuajtjeve kanë ndodhur meqë ne ishim shqiptarë dhe dëshironim të jetojmë të lirë në tokën tonë. Ky është një çmim shumë i madh dhe i padrejtë që e kemi paguar ne. E ne e dëshmojmë që e duam këtë vend pikërisht duke shprehur solidaritetin tonë të pakushtëzuar me ata të cilët kanë humbur e vuajtur më së shumti”, theksoi ai.

Duke i falënderuar të gjitha organizatat e shoqërisë civile të cilat iu kanë qëndruar pranë dhe i kanë ndihmuar viktimat e mbijetuara të dhunimit seksual, kryeministri u bëri thirrje të gjitha burrave e djemve, që ta kuptojnë se heshtja kushton më së shumti.

Së bashku me kryeministrin Kurti, homazhe bënë edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Leonora Selmani, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, këshilltari i kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici, deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues e përfaqësuese të institucioneve.

Numri i saktëi personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Megjithatë, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth 20 mijë persona kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.