Kurti për zgjedhjet në Mal të Zi: Hegjemonizmi serb ka marrë hov

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur për zgjedhjet në Mal të Zi ka thënë se hegjemonizmi serb ka marrë hov.

“Ne jemi duke e përcjellur me vëmendje situatën atje. Do të marrë disa javë mbase edhe pak muaj formimi i qeverisë. Por ne fare nuk jemi optimistë për zgjedhjet në të cilat është përfshirë aktivisht edhe Beogradi, edhe kisha ortodokse serbe. Besojmë që ky hov i hegjemonizmit serb duhet të na tërheqë vëmendjen shumëfish herë më tepër sesa çfarë do të bëjë ky politikan ose ai politikan”, tha Kurti.

“Fundja edhe ngado që mban ndonjëri deputet ëshntë fakt që edhe kreu i listës pro-serbe në Mal të Zi nuk e ka pritur këtë rezultat të mirë për koalicionin e tij. Disi i ngjan situata e zgjedhjeve në Kosovë kur edhe Lista Serbe fiton më shumë sesa që ka pritur”, shtoi kreu i LVV-së.

Sipas Kurtit, këto situata po përsëriten sepse dirigjuesi në prapavijë është i njëjti.

“Prandaj ne duam të tërheqim vëmendjen e faktorëve ndërkombëtar, në veçanti te NATO-s dhe BE-së se ka një ringjallje, një hov të paparë në këtë shekull të hegjemonizmit serb dhe të imperializmit rus”, shtoi ai.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht dhe, sipas rezultateve paraprake, ato u fituan nga partitë opozitare, të cilat janë pro-serbe dhe pro-ruse, raporti REL.

Tri koalicionet e opozitës fituan më shumë se gjysmën e vendeve në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Malit të Zi.

Nga 81 vende, Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Millo Gjukanoviq fitoi 40 vende me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë, ndërsa tre parti të opozitës fituan 41 vende.