Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti për zëvendësimin e policëve serbë: Duhet të ketë aplikime të reja për punë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur sot lidhur me atë se si do të bëhet kthimi i policëve serbë në institucione të Kosovës pas dorëheqjes së tyre.

Kurti ka thënë se aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë.

Ai ka thënë se kjo rregullohet sipas procedurave të brendshme dhe rregulloreve të Policisë së Kosovës.

“Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë, vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje publike për kthim por me aplikim profesional të atyre të cilët i duan ato vende të punës, dhe natyrisht të gjithë janë të mirëseardhur. Këtë nuk e vendos as kryeministri e as ministri i Punëve të brendshme, kjo rregullohet sipas procedurave të brendshme dhe rregulloreve të Policisë se Kosovës, që vlejnë për të gjithë zyrtarët pas asnjë dallim”-tha Kurti.

Teksa po raporton para deputetëve të Kuvendit ku është ftuar për interpelancë, Kurti ka thënë se cështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policor nuk është vendim politik.

Ai  është shprehur se për bindjen e tij, dorëheqjet kanë ardhur për arsye të cilat nuk qëndrojnë.

“Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policor nuk është vendim i imi e as i Ministrisë të Punëve të Brendshme, nuk është vendim politik, vendim politik ka qenë dorëheqja politike, për bindjen time për arsye të pa qena, thoshin morale e individuale e teksti krejt i njëjtë të dorëheqjes”- tha tutje Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka thënë edhe një herë që bën thirrje që asnjë serb të mos i braktis institucionet.

“Institucionet nuk janë të qeverisë dhe as të një komuniteti, janë te të gjithë qytetarëve”- ka shtuar ai.

Kryeministri Kurti sot është përballë deputetëve, në interpelancën e ftuar për “masat urgjente të Qeverisë në raport me situatën e krijuar në vend”.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, duke dorëzuar edhe armët e pajisjet e tjera.

Interpelanca është ftuar nga opozita pas situatës së krijuar në veri, për shkak të targave ilegale të lëshuara nga Serbia.

Javën e kaluar u arrit  një dakordim për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.