Kurti për vrasjen e policit: Duhet një qeveri ndryshe që mbështet policinë e ligjin

Me rastin e vdekjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai përmes një postimi në ‘Facebook’ ka ngushëlluar familjen e policit që u vra sonte në një operacion kundër narkotikëve në Zhur të Prizrenit.

“Në orët e vona të mbrëmjes na erdh një lajm i keq. Polici Sami Thaçi paska vdekur në krye të detyrës, gjatë një operacioni kundër narkotikëve në Zhur të Prizrenit. Ngushëlloj familjen e tij dhe Policinë e Kosovës. Shpresoj që të plagosurit të jenë jashtë rrezikut dhe të bëhen mirë sa më shpejt”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit që të luftohet me sukses krimi në vend “duhet trimëria e sakrifica e policëve, por duhet edhe një qeveri ndryshe, që mbështet policinë e ligjin, dhe lufton pa kompromis krimin”.

Kallxo.com ka raportuar se si pasojë e një shpërthim në një shtëpi në Zhur të Prizrenit që ishte cak i bastisjes nga Policia kishin pësuar lëndime tre policë dhe një qytetar.

Njëri prej policëve të plagosur ka vdekur.

Ekipi i Kallxo.com është duke raportuar nga vendi i ngjarjes.