Kurti për vizitat në veri: S’janë kundër askujt, por janë për të kuptuar nevojat e komunave
Kryeministri Albin Kurti ka thënë më 11.09.2024 se vizitat e tij dhe të qeveritarëve të tjerë në komunat veriore nuk janë kundër askujt, por janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat e atyre komunave.
Dje, më 10.09.2024, ai së bashku me disa ministra vizituan Mitrovicën e Veriut dhe Komunën e Leposaviqit- ku qëndruan në fshatrat Bistricë, Cerajë e Leshak.
“Për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella dhe për të kuptuar se sa anash janë lenë qytetarët atje ne po i bëjmë këto vizita- që janë vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekada pararendëse” – tha kryeministri gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Shefi i Qeverisë deklaroi se në atë zonë nuk po mbyllen shërbimet për qytetarët, përkundrazi po shtohen ato.
Kurti dje kaloi edhe mbi Urën e Ibrit, ku u përshëndet me ushtarët e KFOR-it.
I pari i Qeverisë tha se në objektet ku kanë qenë të vendosura strukturat paralele serbe, e që janë mbyllur nga institucionet e sigurisë, do të ofrohen shërbime të tjera.
“Në ato objekte do të funksionalizohen njësia e patentë shoferëve, qendra për punë sociale, shërbimi për regjistrimin e automjeteve e shërbime të tjera” – tha Kurti.
Ai tha se Qeveria nuk po mbyll por po hap zyre, nuk po zvogëlon a kufizon shërbime, por po i shton e po i afron ato te qytetarët.
“Se kush është për mbyllje dhe kufizim e pamë edhe njëherë javën e shkuar. Grupe personash të maskuar, në prani të Policisë së Serbisë, në kufi me Kosovën, por në territorin e Serbisë, bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura e legjitimuar udhëtarë, për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike” – shtoi Kryeministri.
Lidhur me këtë rast, ai tha se policia e inteligjenca kanë punuar që planet e këtyre grupeve të dështojnë.
Kurti falënderoi zyrtarët policorë e agjentët për punën e tyre, pasi që tha se ka shumë punë që bëhen e për të cilat nuk dihet në publik.
“Ka tepër shumë punë që bëhen për të cilat nuk dihen fort në publik, e nuk ka aq diskutime në publik. Me këtë rast, dua të shpreh një falënderim të veçantë për zyrtarët policorë e agjentët tanë, që qytetarët të shohin e jetojnë vetëm rezultatet pozitive përkundër planeve të këqija që synohen por që nuk realizohen e s’merren vesh asnjëherë” – tha ai.
Dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë dhe Bërnjak ishin mbyllur përkohësisht për qarkullim, pasi që siç kishte bërë të ditur Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, grupe ekstremistësh të maskuar, në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Rreth 30 persona në Jarinjë e Bërnjak, diku rreth 50 persona në Kullë e Merdarë, dolën dhe iu bashkuan kërkesës për të protestuar dhe bllokuar rrugët matanë kufijve që ndajnë Kosovën me Serbinë, më 06.09.2024.
Kjo protestë u thirr para disa ditësh përmes rrjetit social “Telegram”. Aty u bë thirrje për pjesëmarrje në këto protesta për të bllokuar pikat kufitare nga Serbia me Kosovën.
Kërkesë e tyre është që institucionet që janë mbyllur në Kosovë, ku kanë funksionuar struktura paralele serbe t’u rikthehen qytetarëve serbë.