Kurti për vendimin e ri për targat: Janë njoftuar shtetet e QUINT-it

Qeveria e Kosova ka marrë një vendim të ri për targat ilegale, të cilin kryeministri Albin Kurti e ka quajtur vendim që bënë “sekuencimin dhe shkallëzimin e sanksioneve për targat ilegale”.

Vendimi i ri qeveritar është ndarë në disa faza, ku nis me qortim, pastaj gjobitje, targa provuese dhe në fund, me 21 prill, sipas Kurtit nuk do të lejohen më bartja e targave ilegale nga pronarët e veturave.

Në konferencë për media para gazetarëve, kryeministri Kurti konfirmoi takimet me përfaqësuesit e shteve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, të cilëve iu është prezentuar qëndrimi i qeverisë.

“Jemi takuar me QUINT- in dhe ambasadorin e BE e kemi prezantuar qëndrimin tonë. Ideja e tyre ishte që gjithçka të spostohet me kohë. Ata nuk e dinin propozimin tonë. Na thanë që do të konsultohen me shtetet e tyre. Janë të njoftuar dhe kryeqendrat e shteteve” – tha Kurti.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se deri më tani vetëm 20 persona e kanë regjistruar makinat e tyre në targat RKS.

Ai tha se ka pasur sulme ndaj personave që i kanë ndërruar targat.

“Ne jemi të interesuar që të gjitha targat ilegale të dorëzohen, nuk duam eskalim të situatës. Në misionin tonë mbetet ligjshmëria dhe siguria në Kosovë, me këtë rast, ftoj të gjithë shtetasit tonë që të shfrytëzojnë përfitimet e Kosovës dhe t’i kalojnë targat e tyre në legale” – tha ministri Sveçla.

Vendimi i ri qeveritar parasheh disa masa, të ndara në faza të ndryshme, e që përfundojnë më 21 prill 2023, pas cilës datë, sipas kryeministrit nuk do të lejohet të ketë targa të tjera në Kosovë.

“Duke filluar nga 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj nga 21 nëntor, për 2 muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj, nga 21 janari do të kemi targa provuese për 2 muaj të tjerë. Pas datës 21 prill nuk do të ketë më targa provuese, pasi që nuk mund të ketë targa të tjera në Republikën e Kosovës” – tha kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Qeveria vendos disa masa të reja për targat ilegale, u jep afat deri më 21 prill 2023