Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti për “The Independent”: Ballkani përballet me rrezik të shtuar të konfliktit ushtarak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën britanike “The Independent” ka thënë se Ballkani Perëndimor përballet me rrezik të shtuar të konfliktit ushtarak për shkak të situatës në Ukrainë.

Kurti ka thënë se Serbia mund të jetë vlerë e shtuar e agresionit ushtarak rus.

“Mendoj se Ballkani Perëndimor është në rrezik edhe më të madh se vendet baltike dhe Moldavia, sepse atje Rusia do të kishte ndarë një pjesë të forcës së saj ushtarake. Në rastin e Ballkanit Perëndimor nuk do të duhej ta bënte fare këtë, sepse Serbia mund të jetë vlerë e shtuar e agresionit të tyre ushtarak. Ne do të donim të anëtarësohemi në NATO sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Kurti.

Kurti tutje ka thënë se insiston që NATO të jetë shumë më vigjilente sesa është tashmë.

“Gjithashtu insistoj që NATO të jetë shumë më vigjilente se sa është tashmë. Në Moskë kemi një udhëheqës të fuqishëm që po pakëson rrugët e tij të arratisjes,” tha ai. “Ai nuk është një person që duket i gatshëm të bëjë paqe, përkundrazi do të bëjë përpjekje për zgjerim të luftës. Kjo është arsyeja pse jemi në rrezik”, ka thënë Kurti për “The Independent”.

Ai ka thënë se Kosova e cila u përball me një spastrim etnik kundër shqiptarëve të Kosovës nga duart e forcave jugosllave dhe serbe në vitet e 90-ta, beson se një akt i ngjashëm shkatërrues është duke u zhvilluar tani në Ukrainë.

“Ky invazion rus, ky agresion ushtarak nuk është më politik. Është gjenocid. Shihet qëllimi gjenocidal që rezulton në aspekte logjistike dhe demografike. Kur shoh se çfarë po ndodh në Kiev, duket se kjo është një tjetër Sarajevë në përgatitje,” ka shtuar ai.

Kurti ka thënë se kronikat e lajmeve që shfaqin liderin bjellorus Aleksander Lukashenko para një harte që gdhendte Ukrainën, të kujtojnë drejtpërdrejt raportet e takimeve ndërmjet Vuçiq dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Sipas njoftimit Kurti në këtë intervistë ka thënë se që nga fundi i vitit të kaluar, dukej se Serbia, si e “autorizuar” e Rusisë, ishte “gati për të sulmuar” në kufirin verior me Kosovën.