Albin Kurti, Jens Stoltenberg/Foto: ZKM

Kurti për tensionet në veri: Kemi përballje të shtetit demokratik me struktura të paligjshme e banda kriminale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sa i përket marrjes së përgjegjësisë për tensionet në veri të Kosovës, në njërën anë kemi shtetin demokratik të Kosovës dhe në anën tjetër strukturat e paligjshme dhe bandat kriminale.

Kurti shtoi se policia e Kosovës nuk bën dallime etnike sa i përket luftimit të krimit të organizuar.

“Në njërën anë kemi shtetin demokratik të Kosovës, kemi policinë profesionale. Në anën tjetër tek pala tjetër kemi struktura të paligjshme që janë kthyer në banda kriminale që kanë ngritur edhe barrikada. Janë dy palë, por nuk mund ta humbim busullën morale. Duhet të ketë zero tolerancë për krim të organizuar” – ka thënë Kurti.

“Nga prilli i kaluar Policia jonë ka kryer 39 operacione të ndryshme me të cilat kanë arrestuar dhjetëra kriminelë nga grupe të organizuara. Policia nuk e bën dallimin e krimineleve në baza etnike. Na duhet mbështetja nga BE, NATO dhe Perëndimi për një vend siç është Kosova” – ka shtuar Kurti.

Kurti më tej bëri të ditur se Qeveria ka nisur fushatë për ndërrimin e tabelave ilegale të Serbisë në ato të Republikës së Kosovës nga 29 qershori i këtij viti.

Ai shtoi se marrëveshja për mosprodhim të këtyre tabelave ilegale është arritur në Bruksel dhe tani vetëm po implementohet diçka që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Më 29 qershor kemi marrë vendim që t’u mundësohet gjithë qytetarëve që tabelat t’i kthejnë nga ato të Millosheviqit të prodhuara në Serbi, t’i konvertojnë në ato legjitime në RKS. Kemi fillu fushatë për informim por edhe kemi krijuar stimuj financiarë që serbët nuk do duhet të paguajnë TVSH apo akcizë që  mund të shkojë deri në 5 mijë euro. Do vazhdojmë më këtë fushatë dhe ndërrim” – tha Kurti.

“Vetë Serbia është pajtuar që nga viti 2018 nuk do prodhojë më tabela në tilla në Serbi më tutje dhe nuk do t’i detyrojë serbët t’i përdorin. Katër vite më vonë po implementohet diçka që është e ligjshme dhe në përputhje me zotimet e Serbisë të marra përsipër gjatë negociatave në Bruksel” – ka thënë Kurti.

Kurse, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet mes vete përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Stoltenberg pas takimit me Kurtin: Kosova dhe Serbia të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut