Kurti për Telekomin: Ndërrimi i qeverisë trimëroi kriminelët dhe zhvatësit e pasurisë publike

Dje janë bllokuar xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës si pasojë e përmbarimit të borxhit rreth 26 milionë euro nga kompania Dardafone (Z Mobile) që kishte fituar gjykimin në Arbitrazh.

Pas reagimeve të djeshme nga ministri i Ekonomisë, Federata Sindikale e Telekomit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Telekomi i Kosovës, sot ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti ka thënë se ndërrimi i qeverive i ka trimëruar “kriminelët dhe zhvatësit e pasurisë publike”, të cilët po e konsiderojnë Qeverinë Hoti si aleate të tyre.

Ai ka thënë se gjatë qeverisjes së tij këta persona nuk janë “janë bërë të gjallë”.

“Gjatë qeverisjes sonë 50 ditëshe, ata ishin strukur dhe nuk ndjeheshin të gjallë. Ishin të vetëdijshëm se me neve në qeveri, nuk kishin asnjë shpresë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Më tej, ish-kryeministri Kurti ka thënë se me këtë gjendje të Telekomit të Kosovës po rrezikohet të ketë krizë sociale me nxjerrjen e mijëra punëtorëve në rrugë, krizë të sigurisë kombëtare, krizë ekonomike dhe të tjera.

“Rrezikohet shembja e bërthamës së komunikimeve elektronike në vend, me pasoja edhe për operatorët tjerë. Rrezikohet krizë sociale (duke nxjerrë mijëra punëtorë me familjet e tyre në rrugë), krizë e sigurisë kombëtare (duke i kanosur shërbimet qeveritare, të policisë, ushtrisë, prokurorisë, emergjencës e inteligjencës), krizë ekonomike (duke cenuar komunikimin e ndërmarrësve dhe tregut), dhe krizë shëndetësore (duke gjymtuar shërbimet shëndetësore si psh. qasja në linjat 194 për 800.000 qytetarë), e gjithë kjo në kohë të emergjencës për shëndetin publik”, ka theksuar Kurti.

Ditë më parë, Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net LLC” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Në maj të vitit 2017 Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” kishin njoftuar  se  kishin arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”.

Marrëveshja e arritur në vitin 2017 ishte zbatuar pjesërisht. Më vonë, Telekomi i Kosovës ju ka referuar se borxhi i mbetur nga Z-Mobile është rreth 25 milionë euro, mirëpo asnjëherë nuk i kanë publikuar detajet e uljes së borxhit.

Telekomi i Kosovës kishte vendosur të mos e vazhdojë më kontratën me Dardafone për operatorin vitual Z-Mobile.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të ish-kryministrit Albin Kurti:

Me qeverinë koti kriminelët dolën nga skutat

Ndërrimi i qeverisë trimëroi kriminelët dhe zhvatësit e pasurisë publike të të gjitha llojeve. Këtë e tregojnë ngjarjet e djeshme lidhur me Telekomin. Gjatë qeverisjes sonë 50 ditëshe, ata ishin strukur dhe nuk ndjeheshin të gjallë. Ishin të vetëdijshëm se me neve në qeveri, nuk kishin asnjë shpresë. Rishfaqja e tyre tani dhe në mënyrë kaq brutale dëshmon se qeverinë e paligjshme e konsiderojnë aleate të tyre. Ndryshe vështirë se do të kishin pasur guximin të lënë qytetarët dhe ekonominë e vendit pa komunikime jetike, duke rrënuar përfundimisht Telekomin e Kosovës.

Vetëm në vitin 2009, Telekomi i Kosovës i kishte dhënë dividentë buxhetit të shtetit në vlerë prej 200 milionë euro. Deri në vitin 2014, kjo shumë arriti gjithsej në 435 milionë euro. E gërryen nga brenda dhe e rjepën nga jashtë me kontrata të dëmshme vit pas viti. Plaçkitësve tash po u ndihmojnë edhe gjyqtarë që thyejnë rekordin për efikasitet në kohë pandemie teksa qindra mijëra lëndë janë pluhrosur nëpër sirtarë të kyçur në Pallatin e Drejtësisë. Zaten, kur krimineli e paditë viktimën dhe e fiton gjyqin, kjo do të thotë që ka gjykatës që janë bërë për burg.

Rrezikohet të mbesin pa shërbim më se 800.000 abonentë. Rrezikohet shembja e bërthamës së komunikimeve elektronike në vend, me pasoja edhe për operatorët tjerë. Rrezikohet krizë sociale (duke nxjerrë mijëra punëtorë me familjet e tyre në rrugë), krizë e sigurisë kombëtare (duke i kanosur shërbimet qeveritare, të policisë, ushtrisë, prokurorisë, emergjencës e inteligjencës), krizë ekonomike (duke cenuar komunikimin e ndërmarrësve dhe tregut), dhe krizë shëndetësore (duke gjymtuar shërbimet shëndetësore si psh. qasja në linjat 194 për 800.000 qytetarë), e gjithë kjo në kohë të emergjencës për shëndetin publik.

Në anën tjetër, operatori i dytë për nga madhësia në vend, është nxjerrë në shitje. Ndër blerës të interesuar është edhe Telekomi i Serbisë, i maskuar në konsorciume.

Pasojat do të jenë të rënda – ekonomike e sociale por edhe të sigurisë. Ky është një krim i pafalshëm. Të gjithë përgjegjësit, e dihen me emër dhe mbiemër, do të përgjigjen, kur ky vend të udhëhiqet nga një qeveri e përgjegjshme, dhe kur sistemi i drejtësisë të lirohet nga kapja, krimi dhe korrupsioni. Dhe, kjo ditë nuk do të vonojë.