Kurti: Për të ecur përpara në dialog, Vuçiqi duhet të distancohet nga Millosheviqi e Putini

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me ministren e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambrecht, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi dhe takimet në Berlin.

Kurti ka thënë për të ecur përpara dialogu, presidenti serb duhet të distancohet nga Millosheviqi dhe Putini.

“Ne duhet të ecim përpara, e për të ecur përpara presidenti i Serbisë duhet të distancohet nga Millosheviqi edhe nga Putini. Kërkesa për kompromise në kushtet kur thotë se asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën, teksa nuk distancohet nga Mollosheviqi e as Putini, nuk është kërkesë për zgjidhje”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se dialogu duhet të rezultojë me marrëveshje e cila duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

“Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE duhet të zhvillohet përbrenda vlerave të Bashkimit Evropian, ku edhe Kosova edhe Serbia me qytetarët e tyre përfitojnë. Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Nuk them që njohja duhet të jetë i vetmi element i marrëveshjes, por njohja duhet të jetë në qendër. Do të ketë edhe elemente tjera por ato elemente nuk kanë kuptim pa njohjen”, ka thënë Kurti në konferencë për media.

Kurti është shprehur optimist se mund të ketë diçka konkrete më 13 maj, në takimin e palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel.

“Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhje reciproke për targat, edhe për çështjen e mospagesës së energjisë në veri të Kosovës, e po ashtu edhe për nevojën për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturave, të të zhdukurve me dhunë”, ka shtuar ai.