Foto: ZKM

Kurti për situatën në Ukrainë: Solidarizohemi me popullin ukrainas

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës ka thënë se solidarizohet me popullin ukrainas, pasi Rusia ka nisur pushtimin në Ukrainë.

Sot në orët e hershme të mëngjesit, Rusia ka nisur të sulmojë Ukrainën.

Kurti ka shtuar se janë të orientuar për pavarësinë e e Ukrainës, bashkë me aleatët ndërkombëtar.

“Teksa ne po e mbajmë këtë konferencë këtu në Prishtinë, në Ukrainë po ndodhë invazioni rus që paraqet agresionin më të madh ushtarak jo vetëm në Evropën që nga përfundimi i luftës së dytë botërore. Në këto qaste të trishta për mbarë Evropën, ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës, dhe jemi të orientuar bashkë më BE, NATO, SHBA, dhe Mbretërinë e Bashkuar për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës”, tha ai.

Kurti këtë deklaratë e ka dhënë sot në konferencën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në lidhje me Reformën e Administratës Publike në Kosovë.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj.

“Kosova qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj, ndërkohë që ata po përballen me pasojat e luftës së paprovokuar si rezultat i akteve të agresionit të Rusisë”, ka shkruar Osmani në Tëitter.
Presidentja ka shtuar se do të bashkëpunojnë me aleatët e Kosovës për të ndaluar çdo destabilizim në rajon.