Daria Aslamova, shtetasja ruse qe iu ndalua hyrja në Kosovë

Kurti për shtetasen ruse: Nuk është e rastësishme që u përpoq të vinte nga vendkalimi kufitar në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me shtetasen ruse Daria Aslamova, e cila tentoi të hynte në pikë kalimin kufitar në veri të Kosovës, dy ditë më parë.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Kurti ka thënë se qëllimet e saj nuk kanë qenë të mira dhe se nuk është e rastësishme ardhja e saj nga vendkalimi kufitar në veri të Kosovës.

“Padyshim që qëllimet e saj nuk kanë qenë të mira. Dhe, këtë e kanë konstatuar edhe ata, të cilët e kanë intervistuar. Bëhet fjalë për një person të mirënjohur nga shumë shtete në Evropën lindore për veprimtarinë destruktive, gjithnjë në funksion të Kremlinit zyrtar. Dhe nuk është e rastësishme që ajo u përpoq të vinte nga vendkalimi kufitar në veri të Kosovës. Pra, ishte në Serbi ku mbase ishte edhe e mirëpritur dhe që prej atje provoi të hynte edhe në Kosovë dhe organet tona e ndaluan dhe më pastaj edhe e dëbuan” – është shprehur Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se nuk është e çuditshme që Aslamova erdhi nga Serbia, pasi sipas tij, Rusia dëshiron që të përdorë Serbinë për të destabilizuar Ballkanin.

“Nuk është e çuditshme pse ajo vie nga Serbia, meqenëse Rusia po dëshiron ta përdor Serbinë si platformë për të destabilizuar Ballkanin dhe në veçanti Kosovën që është rast i suksesshëm edhe i intervenimit të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në pranverën e vitit 1999, edhe shembull suksesi i zhvillimit ekonomik me demokraci cilësore”- deklaroi ai.

“Veprimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ishte i menjëhershëm, i saktë, i duhur dhe profesional”, shtoi Kurti.

Dy ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se në pikë kalimin kufitar në veri të Kosovës është ndaluar Daria Aslamova.

Sipas Sveçlës, shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares.

Ai ka bërë të ditur se autoritetet e Kosovës janë në dijeni për veprimtarinë e saj por që sipas ministrit Sveçla, edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë për shkak të veprimtarisë së saj.

Ndërkaq, të dielën Aslamova u shpall person i padëshirueshëm në Kosovë.

Me vendim të ministrit Sveçla, asaj i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.

Këtu mund ta ndiqni intervistën e plotë për Radio Evropa e Lirë.