Përurimi i shtatores së presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, Foto: Albin Kurti/Facebook

Kurti për shtatoren e Rugovës në Podujevë: Më punë e qetësi përfaqësoi politikat e tij në Kosovë e jashtë saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas përurimit të shtatores së presidentit historik, Ibrahim Rugova në Podujevë, e cila u bë në përvjetorin e 34-të të Kushtetutës së Kaçanikut, u shpreh se Rugova me punë e durim përfaqësoi politikat e tij në Kosovë dhe jashtë.

“Qëndresa shoqërore që i parapriu protestave aktive studentore dhe luftës së lavdishme çlirimtare, kërkonte angazhim intelektual e kontribut qytetar, përkushtim kombëtar e nivel kulturor, vetëdije politike e afirmim ndërkombëtar. Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi”- ka shkruar Kurti në rrjetin Facebook më 07.09.2024.

Ai përmendi edhe shumë lëvizje e kontribues të viteve ’90-ta që kontribuan për lirinë e Kosovës.

“Fillimi i dekadës së fundit të shekullit të kaluar ishte i rëndë dhe i vështirë, por: Dr. Gazmend Zajmi ishte në krye të hartimit të kushtetutës për mëvetësi me vetëvendosje; Anton Çetta i printe pajtimit të gjaqeve mes shqiptarëve; Adem Demaçi u kthye te populli i tij pas gjithsej 28 vite nëpër burgje; Dr. Ibrahim Rugova e udhëhiqte Alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore; Dr. Ejup Statovci ishte në krye të rimbëkëmbjes së Universitetit të Prishtinës; Ukshin Hoti organizonte demonstrata popullore e shkruante për demokraci autentike; Akademik Rexhep Qosja dominonte debatet historike dhe frymëzonte rininë patriotike; etj. E në fillim të asaj dekade, pasi ishin kthyer nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çekaj organizonin grupet e armatosura drejt formimit të UÇK-së”- ka shtuar më tej Kurti.

Sipas tij, kjo shtatore e presidentit Ibrahim Rugova “pasuron ikonografinë e shesheve tona publike në nderim dhe kujtim për të”.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, djali dhe vajza e presidentit Rugova, i pari i Komunës së Podujevës e shumë deputetë e ministra.