Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti për sanksionet e SHBA-së: Jam i brengosur gati gjithë kohën por nuk frikësohem

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë paraqitjes së tij në Forumin e Bratislavës GLOBSEC2023 në Sllovaki, është pyetur se nëse frikësohet nga izolimi ndërkombëtarë, teksa u përmendën sanksionet e SHBA-së dhe se nëse brengoset nëse BE do të pezullojë liberalizimin e vizave.

Kurti tha se është i brengosur gjithë kohën, por u shpreh se nuk frikësohet.

“Jam i brengosur gati gjithë kohën por nuk frikësohem sepse është përshkrim i punës të mos frikësohem por të brengosem”- ka deklaruar ai.

Kreu i ekzekutivit tha se po përpiqet që të gjejë një zgjidhje dhe rrugëdalja sipas tij, nuk duhet të jetë rrugë e lakuar po hekurudhë me dy binarë.

“Po përpiqemi fort që të gjejmë zgjidhje dhe rrugëdalja nuk duhet të jetë rrugë e lakuar por një hekurudhë, dy binarë. Së pari të dalim nga kriza në veri që do të thotë sundim i së drejtës, turma ose kthehet në Serbi ose burgoset në Kosovë dhe pastaj të ulim praninë e policisë në objekte komunale dhe normalizojmë situatën”- u shpreh Kurti.

“Binari i dytë është zbatimi i shpejtë, i pa kushtëzuar i drejtpërdrejtë i marrëveshjes së dakrorduar. Një prej kritikave më të mëdha ndaj paraardhësve të mi ka qenë që nënshkruhet marrëveshja dhe pastaj implementimi kanë qenë planetë të largëta mes vete. Po i kthehemi atij sindromi të vjetër kur bëjmë marrëveshje dhe nuk ka zbatim”- shtoi ai.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, më 30 maj 2023 e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka mbajtur konferencë për shtyp me disa media në Kosovë duke deklaruar që ka kërkuar urgjentisht nga kryeministri Albin Kurtit që të tërheqë Policinë e Kosovës komplet prej tri ndërtesave të komunale në veri të vendit, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Ambasadori Hovenier theksoi që në mungesë të reagimit nga Qeveria e Kosovës në këtë kërkesë të SHBA-së dhe në mungesë të çfarëdo shenje se qeveria po punon në shtendosjen e situatës në veri, SHBA ka vendosur ta përjashtojë Kosovën nga ushtrimi i NATO-së “Defender Europe ’23”.

Po ashtu, “do të ndalim githa përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohje me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare”.

Ndërkaq sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t`i tërheqë forcat policore nga veriu.

“Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe t’i tërheqin forcat policore prej atje. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Ai gjithashtu ka kërkuar edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të ulë statusin e sigurisë të forcave të armatosura të Serbisë dhe t’u bëjë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

Gjatë përleshjeve midis protestuesve serbë dhe trupave të KFOR-it, janë plagosur 30 ushtarë ndërkombëtarë, tre prej të cilëve kanë marrë plagë nga armët e zjarrit, konfirmoi misioni i KFOR-it të martën.

Tensionet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji 2023.

Serbë lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale, nga komuniteti shqiptarë.

Më 30 maj 2023, protestuesit serbë u përplasën me ushtarë të KFOR-it. Policia e Kosovës njoftoi se ka arrstuar pesë persona të dyshuar për këto sulme.

Kurti: Për aq sa do të ketë turma që sulmojnë nga jashtë, duhet të kemi policinë tonë në objektet komunale