Kurti për rritjen e pensioneve: Jemi larg mirëqenies, këtë vit planifikojmë të nisim reformë në sistemin pensional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me vendimin e djeshëm të Qeverisë nuk do ketë pensione nën 100 euro.

Kurti tha se vendi është larg mirëqenies por duan që me rritjen aktuale ekonomike të ndihmojnë shtresat sociale.

“Me vendimin e djeshëm të Qeverisë janë rritur pensionet ashtu që të mos kemi asnjë të tillë nën 100 euro. Kësisoj, pensioni bazik, pensioni familjar dhe ai invalidor i punës janë rritur për 11%, kurse pensioni i aftësisë së kufizuar për 33%. E dimë që jemi larg mirëqenies por duam që me rritjen aktuale ekonomike të ndihmojmë shtresat sociale që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, këtë vit planifikojnë të nisin reformë në sistemin pensional që të sigurohet drejtësi dhe dinjitet për secilin pensionist që ka kontribut për vendin.

“Këtë vit planifikojmë të fillojmë edhe reformën e sistemit pensional, që të sigurojmë sistem të drejtë dhe pension të dinjitetshëm për secilin pensionist që ka dhënë kontribut për vendin tonë”, shtoi Kurti.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mos ketë më pensione nën 100 euro për kategorinë e personave më nevoja të veçanta, pensionet familjare, pensionet bazike si dhe pensionet invalidore.

Qeveria merr vendim që të mos ketë më pensione nën 100 euro

www.kallxo.com