Kurti për reciprocitetin: Nuk ka vend për tensione as mundësi për destabilizim

Pas vendimit për reciprocitetin në letërnjoftime e targa, kryeministri Albin Kurti thotë se nuk ka vend për tensione as destablizim të mundshëm nga ana e serbëve të Kosovës për shkak se “po bëhet diçka legjitime”.

Kurti në një konferencë për media deklaroi se janë duke punuar dhe po shpreson që nesër gjithçka të shkojë mirë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

“Unë jam kryeministër i progresit dhe i shpresës, e di që në fqinjin tonë verior, në skenën politike atje, ka shumë politikanë e deri të kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës e të frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligji, republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternativë. Andaj, edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër të shkojë në mënyrë të qetë”,  u shpreh Kurti.

“Ne nuk do t’i marrim dokumente njerëzve nga Serbia në Kosovë, ne do t’ua shtojmë një fletëdeklarim, sepse ka 11 vite që Serbia vepron njëjtë me çdo qytetar të Republikës sonë kur shkon në Serbi. Nga nesër, ata do të kenë një dokument më shumë, jo më pak. Nuk ka kurrfarë vendi për tension, mundësie destabilizim sepse po bëhet diçka legale. Ata që flasin dhunë, barrikada, destabilizim, tensione flasin për vete jo për ne”. ka thënë kryeministri Kurti.

Presidenti Aleksandar Vuçiq tha në konferencën për media lidhur me vendimin e Qeverisë kosovare për vendosjen e reciprocitetit ka thënë se situata është shumë e ndërlikuar dhe komplekse.

Vuçiq përsëriti se “kërkon vetëm paqe”.

“Unë kërkoj prej tyre paqe, lutem për paqe, nëse nuk dëgjojnë, Serbia do të fitojë, kërkoj nga shqiptarët dhe serbët që ta ruajnë paqen”, tha Vuçiq, raporton media RTS.rs 

Nga 1 gushti, qytetarët që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – do të mund të riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës).

Në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, llogaritet qarkullojnë 10.000 makina me targa me emra të qyteteve të Kosovës, të tilla si PR (Prishtinë), KM (Mitrovica e Kosovës) e të tjera.

Po ashtu, nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia.

Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.